Vendosni fjalën kyçe....

AMA tërheq vërejtjen: Kujdes me intervistat me të mitur e saktësinë e informacioneve


Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka tërhequr vërejtjen për disa transmetime që kanë përmbajtje joetike ditët e fundit pas rënies së tërmetit të fuqishëm.

Në një njoftim zyrtar AMA thekson se disa media kanë marrë në intervistë apo opinione nga të mitur të familjeve që kanë humbur familjarët e tyre nga tërmeti.

AMA shton më tej se kjo ndikon në shëndetin mendor e fizik të të miturve dhe krijojnë ngarkesa emocionale të panevojshme në publik. Ndërkohë u bëhet thirrje redaksive dhe mediave  që të bëjnë kujdes në saktësinë e informacionit që përcjellin.

‘Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka vlerësuar dhe vlerëson angazhimin konkret dhe profesional të redaksive audiovizive, në mbulimin e problematikave dhe situatës së paprecendetë të krijuar nga tërmeti i ditës së martë dhe lëkundjeve vijuese në territorin e Shqipërisë.

Informimi realist i ekipeve gazetareske në terren është një ndihmë e jashtëzakonshme për familjet e prekura nga pasojat e tërmetit, për popullatën në tërësi, për institucionet publike në nivel qendror dhe lokal, për të gjitha ato organizma, subjekte a individë që janë angazhuar vullnetarisht për ndihmë dhe solidaritet.

AMA ka evidentuar dhe raste të transmetimeve të përmbajtjeve joetike, sidomos përfshirjen e intervistimeve apo marrjes së opinioneve nga të mitur të familjeve që kanë pësuar humbje të jetëve njerëzore ose lëndime të mëdha nga tërmeti. Redaksitë audiovizive duhet t’i evitojnë këto raste të nxituara dhe jo profesionale, të cilat ndikojnë në dëmtimin e shëndetit mendor dhe fizik të të miturve dhe krijojnë ngarkesa emocionale të panevojshme në publik.

Situata, sidomos në zonat më të prekura nga tërmeti është shumë e rëndë, ndaj redaksitë audiovizive është rasti që të tregohen më profesionalë dhe me verifikimin e fakteve dhe informatave që përcjellin për ndjekësit e tyre. Kjo është një ndihmë konkrete e tyre për të ruajtur qetësinë e nevojshme në të tilla situate, si dhe për të nxitur mbështetjen e të gjithë aktorëve për tejkalimin e gjendjes së vështirë dhe kthimin në normalitet sa më shpejt në zonat e prekura. Autoriteti i Mediave Audiovizive.’ – thuhet në njoftim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *