Vendosni fjalën kyçe....

KQZ mblidhet të premten për të vendosur për Agim Kajmakun


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet të premten për të vendosur lidhur me rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të PS-së në Vorë, Agim Kajmaku.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 01.11.2019, ora 10:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

Shqyrtimi i projekt-vendimit:

  1. “Shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion Kryetar i Bashkisë Vorë, Qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.​”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Një ditë më parë KQZ nisi zyrtarisht shqyrtimin e përgjigjes së mbërritur nga Prokuroria e Përgjithshme për Kajmakun. Përgjigjja e Prokurorisë së Përgjithshme për Kajmakun u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet.  Prokuroria konfirmoi se Agim Kajmaku është i njëjti person me Jorgo Toton, ndaj të cilit, në Greqi, në Gjykatën e Janinës ka pasur një procedim penal për përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara. Mirëpo rezulton se ka një vendim pafajësie ndaj Kajmakut më datë 13.09.2019.

Partia Demokratike kërkoi sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkimin e Kajmakut.  Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban” – shprehet në kërkesën e tij Gazment Bardhi.

Në këtë kërkesë ka disa detaje juridike për t’i kujtuar KQZ-së se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për një funksionar si Agim Kajmaku, është shumë i rëndësishëm për besimin e publikut tek institucionet demokratike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *