Vendosni fjalën kyçe....

PD kërkesë KQZ-së: Shkarkoni pa vonesë Agim Kajmakun, zbatoni ligjin


Partia Demokratike kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Kjo pasi Prokuroria verifikoi se Kajmaku kishte fshehur në Formularin e Dekriminalizimit, arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false.

Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban” – shprehet në kërkesën e tij Gazment Bardhi.

Në këtë kërkesë theksohet qëndrimi i mëparshëm që KQZ-ja ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, raste këto që janë identike me atë të Agim Kajmakut.

“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Në këtë kërkesë ka disa detaje juridike për t’i kujtuar KQZ-së se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për një funksionar si Agim Kajmaku, është shumë i rëndësishëm për besimin e publikut tek institucionet demokratike.

“Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”-përfundon kërkesa e Partisë Demokratike.