Vendosni fjalën kyçe....

Aksioni me 200 policë në Doganën e Tiranës, kapen disa vula dhe një pistoletë (Video)


Gjatë aksionit në Doganën e Tiranës janë shoqëruar 7 persona ndërsa është kapur edhe një pistoletë që do dërgohet për ekspertim.

Në një njoftim zyrtar theksohet se gjatë aksionit kanë marrë pjesë 200 forca policie.

67 kamionë, 23 magazina, 107 automjete dhe 267 persona janë kontrolluar gjatë aksionit në fjalë.

Njoftimi i policisë

‘Policia e Shtetit vijon zbatimin e planit të masave për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit, doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike.

Në vijim të kontrollit të zhvilluar ditë më parë në Portin e Durrësit, mesditën e sotme kontrolli është përqendruar në doganën e Tiranës, me qëllim kontrollin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, kontrollin e mjeteve dhe mallrave, si edhe të ambienteve dhe lokaleve përreth doganës.

Në operacion u përfshinë 200 forca policie nga FLO, DVP Tiranë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Për kontrollin e territorit krahas punonjësve të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë. U kontrolluan 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.

Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 7 persona.

Policia e Shtetit do vijojë kontrollet në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital apo në numrin 112, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e të paanshëm.’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *