Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për rritjen e tarifave të metrosë, gjendje e jashtëzakonshme në kryeqytetin e Kilit


Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në kryeqytetin e Kilit, Santiago, për shkak të protestave të nxitura nga rritja e çmimeve të biletave të metrove.

Protestuesit, shumë prej të cilëve ishin studentë të shkollave të mesme dhe universitare, sulmuan disa stacione nëntokësore, ndezën zjarre dhe bllokuan trafikun, duke shkaktuar dëme në të gjithë qytetin.

Fotografitë e publikuara në media tregojnë protestues që hidhnin gurë, sulmonin automjetet e policisë dhe një autobus në flakë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj kundër protestuesve, të cilët kanë demonstruar me ditë të tëra kundër rritjes së çmimit të biletave.

Këto protesta ekspozojnë pabarazitë në vend, një nga vendet më të pasura të Amerikës Latine por edhe një më të pabarabartat siç shkruan “BBC“.

Protestuesit ankohen për rritje të kostos së jetesës, veçanërisht në Santiago dhe bëjnë thirrje për reforma ekonomike.

Presidenti Sebastián Piñera tha se qëllimi i gjendjes së jashtëzakonshme ishte “të sigurojë rendin publik dhe sigurinë e pronës publike dhe private”.

Masa lejon autoritetet të kufizojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të drejtën e tyre për t’u grumbulluar.

Presidenti tha gjithashtu se qeveria do të “thërriste një dialog … për të lehtësuar personat që preken nga rritja e tarifave”.

Në fillim të këtij muaji, qeveria rriti tarifat në 1.17 dollarë për një udhëtim gjatë orëve të pikut, duke u justifikuar me kostot më të larta të energjisë dhe dobësimit të pesos.

Pas protestave të së premtes, autoritetet e metrosë thanë se të gjitha linjat do të mbeten të mbyllura për të paktën dy ditë për shkak të shkatërrimit serioz. Dëmet u vlerësuan në 700,000 dollarë, përfshirë kamerat e vëzhgimit dhe pajisjet e tjera.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *