Vendosni fjalën kyçe....

Trump për ndryshimet klimatike: Nuk do rrezikoj pasurinë amerikane për ëndrra me mullinj ere


Presidenti i SHBA Donald Trump, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me ndryshimet klimatike pasi mungoi në një seancë të G7-ës kur flitej për këtë çështje, tha se pasuria amerikane bazohet në energji dhe ai nuk do ta rrezikojë atë për ëndrrat me mullinjtë e erës.

Trump, i cili në vitin 2017 tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja klimaterike e Parisit e vitit 2015 që përfshin gati 200 vende,  e ka përshkruar ngrohjen globale si një “mashtrim“.

 Pavarësisht kësaj, Trump e portretizoi veten si një ambientalist gjatë një konference shtypi në mbyllje të Samitit të G7 në Francë.

“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara kanë pasuri të jashtëzakonshme. Ajo gjendet nën këmbët tona.Unë i kam dhënë jetë asaj pasurie dhe ne tani  jemi prodhuesi numër një në botë i energjisë, dhe së shpejti do të jemi shumë më larg se të gjithë të tjerët”, tha Trump në samitin e G7 në Biarritz, Francë.

“Nuk do ta rrezikoj atë pasuri, nuk do ta humbas për shkak të ëndrrave, për shkak të mullinjve të erës, që sinqerisht nuk po funksionojnë shumë mirë”, shtoi lideri amerikan, citon Reuters.

Administrata e Trump ka ndryshuar mbrojtjet mjedisore të SHBA-së, të vendosura nga paraardhësi i tij demokrat Barack Obama dhe ka dobësuar ligjin e ruajtjes së jetës së egër në rrezik.

Presidenti republikan mungoi në një seancë të samitit për ndryshimin e klimës dhe biodiversitetin, që në vend të kësaj të zhvillonte takime dypalëshe me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin Indian Narendra Modi.

Karrigia bosh e Trump

Drejtuesit e G7 diskutuan për zjarret në Amazonë dhe ranë dakord që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin tjetër të ndërmarrin një iniciativë për pyjet e rëndësishme të shiut.

Trump në konferencë e quajti veten mbrojtës të natyrës dhe deklaroi se gjatë karrierës së tij si shitës i pasurive të paluajtshme i është nënshtruar vlerësimeve të shumta të ndikimit në mjedis.

“Unë dua ujin më të pastër në Tokë. Unë dua ajrin më të pastër në Tokë. Dhe kjo është ajo që ne bëjmë. Unë jam një ambientalist, shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë. Kam nënshkruar më shumë vlerësime të ndikimit në mjedis sesa kushdo që ishte President. Dhe unë mendoj se di më shumë rreth mjedisit sesa shumica e njerëzve”, përfundoi presidenti amerikan.

Por aktivistët e mjedisit i panë me përçmim fjalët e Trump-it.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *