Vendosni fjalën kyçe....

Tre ditë pas shpërthimit bllokohet pika e karburantit, nën hetim inspektorët


Inspektoriati Shtetëror Teknologjik dhe Industrial ka bllokuar pas tre ditësh, pikën e karburantit në superstradën Lezhë- Milot, ku ndodhi shpërthimi i depozitës me gaz.

Grupi i inspektorëve do të bëjë bllokimin e kësaj pike për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë.

Zv.kryeministri Erjon Braçe tha se do të ketë edhe një hetim për inspektorët të cilët kanë lëshur vërtetim sigurie. 

“Inspektoriati Shtetëror Teknologjik dhe Industrial ka vendosur masën e bllokimit sot. Ajo që mua më shqetëson dhe vazhdoj të kërkoj bashkë me ministren është informacioni që ka të bëjë me kontrollet e ushtruara më herët në këtë pikë karburanti. Të gjithë inspektorët dhe aktet e konstatimit të tyre janë vënën nën lupë, po kontrollohen dhe do të mbajnë përgjegjësi deri në fund jo vetëm ata, por edhe ndonjë ent tjetër privat që ka lëshuar vërtetim sigurie për atë pikë karburanti.” , është shprehur Braçe.

Edhe njëherë tjetër autoritetet nisin veprimin ndaj bizneseve vetëm kur shënohen incidente apo ngjarje të rënda.

Ekooil ku ndodhi edhe shpërthimi ishte kontrolluar 4 muaj më parë, por në atë kohë nuk u konstatuan në shkelje.

Shpërthimi i depozitës ndodhi mbrëmjen e së shtunës ku u plagosën 7 persona si dhe u dëmtuan disa makina. 

Ndërhyrja e zjarrfikësve parandaloi që flakët të përparonin drejt karburantit, që ndodhej vetëm disa metra larg depozitës, duke rrezikuar edhe një tragjedi më të madhe.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet presin të ndodhin ngjarje të rënda për të vepruar në kompani që rezultojnë në shkelje. Një rast i tillë ishte ai i Mihal Kokëdhimës, restoranti i të cilit u shemb pasi prej vitesh kishte funksionuar pa leje. Por ishte incidenti me turistët spanjollë ai që u bë shkak për shembjen e restorantit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *