Vendosni fjalën kyçe....

Dy fëmijë mes të plagosurve nga shpërthimi i karburantit në Lezhë


Policia ka zbuluar të tjera detaje lidhur me shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e kaluar në një karburant pranë kryqëzimit të Shënkollit në Lezhë.

Numri i të plagosurve është shtatë dhe jo gjashtë dhe mes tyre janë edhe dy fëmijë të mitur, 2 vajza të moshës 5 dhe 2 vjeçare.

Ato ndodheshin në makinën që po furnizohej me gaz të Bardhok Bushatit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:10 të mbrëmjes së kaluar, në një karburant në kryqëzim të Shënkollit.

 Ka qenë një bombol gazi e cila ka marrë flakë fillimisht, e cila shërbente për furnizimin e automjeteve. Si pasojë ka marrë flakë edhe mjeti që po furnizohej me gaz. 

Të lënduar kanë mbetur 5 personat që ndodheshin në makinë si dhe dy punonjës të karburantit.

Mes 7 të plagosurve, dy ndodhen në ngjendje më të rëndë. I pari është identifikuar si  shtetasi me inicialet N.P, rreth moshës 40-vjeç. Ai ka marrë djegie në trup në masën 40%.

“Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën të ditur mbreme rreth mesnates në Shërbimin e Djegie-Plastikës ka ardhur me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie 40% , pacienti me inicialet N. P, 40 vjec. Gjendja e tij shëndetësore sipas mjekëve të shërbimit të Djegie Plastikës, paraqitet e stabilizuar.

Stafi mjekësor i QSUT është në gatishmëri të plotë dhe po kujdeset, duke zbatuar të gjitha protokollet mjekësore dhe duke e mbajtur në monitorim të vazhdueshëm në reanianimacionin e shërbimit të  Djegie Plastikës.”, njoftoi QSUT.

Më pas ai është dërguar në spitalin e Traumës.

I plagosuri tjetër është identifikuar si Bardhok Bushati, 36-vjeç, drejtuesi i automjetit. Ai ka marrë dëmtime të shumta në fytyrë dhe po trajtohet gjithashtu në spitalin e Traumës.

DETAJET E POLICISË

Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.

Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit  B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen,  forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.

Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve  nga perimetri i sigurisë, si dhe  bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *