Vendosni fjalën kyçe....

Debati për blerjen e Groenlandës, Trump anulon vizitën në Danimarkë


Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar vizitën shtetërore në Danimarkë pasi kryeministrja e vendit tha se Groenlanda nuk ishte në shitje për SHBA-në.

Siç shkruan “BBC“, presidenti Trump kishte planifikuar të vizitonte Danimarkën më 2 Shtator, me ftesë të Mbretëreshës Margrethe II.

Javën e kaluar presidenti Trump tha se SHBA-ja ishte e interesuar për të blerë ishullin e Groenlandës, një territor autonom danez.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e  konsideroi propozimin “absurd” dhe tha se shpresonte që Trump të mos ishte serioz në këtë ide.

Më vonë Trump njoftoi se vizita nuk do të zhvillohej më ndërsa e vlerësoi Danimarkën si një “vend shumë të veçantë”.

Shtëpia mbretërore daneze gjithashtu konfirmoi se ishte informuar për anulimin e vizitës.

“Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, por bazuar në komentet e kryeministres Mette Frederiksen, se nuk ka interes të diskutojë për blerjen e Groenlandës, unë do ta shtyj mbledhjen tonë për një herë tjetër…”, shkroi Trump në “Twitter”.

Groenlanda është ishulli më i madh në botë (pas Australisë, i cili përcaktohet si një kontinent më vete). Është një territor autonom danez, që ndodhet midis Atlantikut të Veriut dhe oqeanit Arktik.

Ka një popullsi prej rreth 56,000 njerëzish, të përqendruar rreth vijës bregdetare. Pothuajse 90% janë indigjenë. Ajo ka një vetëqeverisje të kufizuar dhe parlamentin e vet.

Më shumë se 80% e ishullit është e mbuluar nga akulli, që rrezikon të shkrihet për shkak të ngrohjes globale.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *