Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi videomesazh për shqiptarët: Kush ndihet i shtypur, takohemi nesër në 20:00


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestën e nesërme të opozitës së bashkuar.

“Ky është momenti për një shtet me institucione të forta që garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin dhe të ardhmen e të rinjve, familjeve, bizneseve shqiptare. Nesër të gjithë bashkë për një Shqipëri Evropiane. Asnjë hap pas”, – shkruan Kryemadhi, e cila ka publikuar një videomesazh në “Facebook”.

Në këtë video, kryetarja e LSI-së ka një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke nisur nga pensionistët, të rinjtë, bizneset, që ndihen të shtypur nga politikat e kryeministrit Edi Rama.

“Përshëndetje të gjithë miq dhe dashamirës, nesër protesta në orën 20:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ka rëndësinë e saj. Por nuk ka rëndësi politike, më shumë sesa ka rëndësi për të treguar që shqiptarët më shumë se kurrë kanë vendosur të jenë zot të vetes.

Ftohen të gjithë ata që ndihen të shtypur e të grabitur nga qeveria e Edi Ramës.  Ftohen të gjithë ata të rinj e të reja që ndjejnë pasiguri e nuk shikojnë asnjë të ardhme këtu në vend, për shkak të qeverisë së Edi Ramës.

Ftohen të gjithë ata pensionistë, të cilët me pensionet e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë ilaçet e jo më dritat e ujin që kanë shkuar në stratosferë me rritjen e çmimeve të Edi Ramës.

Ftohen të gjithë ato biznese të cilat mezi po mbijetojnë për shkak të taksave të larta të Edi Ramës.

 Ftohen të gjithë ato biznese që falimentuan për shkak të politikave të Edi Ramës. Pra ftohen të gjithë ata që duan një Shqipëri të vërtetë Europiane dhe ftohen të gjithë ata të rinj e të reja, të cilët aspirojnë për të ndërtuar jetën e tyre europiane, në shtëpinë e tyre në Shqipëri.

Shqipërinë e ka bekuar Zoti prandaj edhe ne të tregojnë që jemi një popull i bekuar nga Zoti. Faleminderit, shikohemi të gjithë nesër në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 20:00.”, thotë Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *