Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë në gjykatë ish-presidenti i Egjiptit


 

Ish-presidenti Mohammed Morsi u rrëzua dhe ndërroi jetë të hënën në gjykatë. Pas vdekjes së tij autoritetet egjiptiane ndodhen nën presion.

Ish-presidenti 67 vjeçar, ndodhej në paraburgim që kur u largua nga detyra në vitin 2013.

Amnesty International ka bërë thirrje për “një hetim të paanshëm, të plotë dhe transparent” për vdekjen e tij. Edhe pse autoritetet thonë se ai ndërroi jetë nga një atak në zemër.

Familja e tij dhe aktivistët kishin ngritur më herët shqetësime në lidhje me shëndetin e tij dhe kushtet në të cilat po mbahej në izolim.

BBC” shkruan se Morsi ishte varrosur pranë Kajros në orët e para të mëngjesit të së martës, me vetëm disa anëtarë të familjes së tij të pranishëm.

Djali i tij, Abdullah Mohamed Morsi, i tha “Reuters” se autoritetet egjiptiane kishin mohuar kërkesën e familjes së tyre për një funerale publik në vendlindjen e tij.

Morsi ishte një figurë e lartë në lëvizjen islamike “Vëllazëria Myslimane”, dhe u bë udhëheqësi i parë demokratik i vendit në 2012-ën.

Mirëpo një vit më vonë, ai u rrëzua dhe u arrestua në një grusht shteti ushtarak.  Abdul Fattah al-Sisi, i cili atëherë ishte shefi i ushtrisë, qëndron në pushtet që prej vitit 2014.

Vëllazëria Myslimane dhe Presidenti turk Tayyip Erdogan janë mes atyre që kanë fajësuar udhëheqjen egjiptiane për vdekjen e Morsit.

Çfarë ndodhi në gjykatë?

Morsi po përballej në gjykatë në Kajro të hënën, me akuzat për spiunazh për shkak të kontakteve që dyshohej se kishte me grupin islamik palestinez Hamas.

Zyrtarët thonë se ai kishte kërkuar t’i drejtonte disa fjalë jurisë, foli për rreth pesë minuta nga një kafaz xhami ku po mbahej me të pandehur të tjerë.

Minuta më vonë, atij mesa duket i ra të fikët gjatë një pushimi.

“Ai u transferua në një spital ku ai u shpall i vdekur”, tha prokurori publik i Egjiptit.

Zyrtarët thanë se një raport mjeko-ligjor ishte urdhëruar për vdekjen e tij dhe këmbënguli se asnjë dëmtim nuk iu gjet në trup.

Televizioni shtetëror e përshkroi shkakun e vdekjes si një sulm në zemër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *