Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, ka deklaruar se publikimi i përgjimeve të Dosjes 339 është vetëm maja e ajsbergut të krimit shtetëror. Ai shton se kjo dosje nuk është e vetmja por mjafton për kuptuar rolin e shërbëtorit të qeverisë ndaj krimit.
“Zbardhja e të vërtetës përmes publikimit të disa përgjimeve që lidhen me atë që është njohur si dosja 339, në fakt është vetëm maja e aisbergut të krimit shtetëror! E vërteta nuk mund të mbulohet më, nuk mund të prangoset dhe as nuk mund të vritet! Dosja 339 nga ku janë marrë përgjimet që provojnë rolin prej shërbetori të qeverisë ndaj krimit, nuk është e vetmja. Por është e mjaftueshme për të kuptuar se si krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror!” – shkruan Rama.
Më tej ai shton se kjo legjitimon edhe më shumë protestën e qytetarëve dhe të opozitës së bashkuar pasi tashmë është e qartë sesi mazhoranca dhe kryeministri i ka fituar zgjedhjet e vitit 2017.
“Por, ndërsa nga e vërteta e përgjimeve kuptojmë varësinë e qeverisë në shërbim të krimit nga njëra anë, nga ana tjetër legjitimohet arsyeja se pse qyetaret dhe opozita janë në protestë! Sepse të gjithë tashmë e kanë të qartë se si janë vjedhur e blerë votat dhe se si është krijuar maxhoranca aktuale; Të gjithë e kanë të qartë se si janë bërë listat e deputetëve të maxhorancës, Të gjithë e kanë të qartë se si janë kërcënuar me bukën e gojës dhe vendet e punës votuesit, për të votuar me dhunë maxhorancën aktuale! Dhe kur duhej që Kryeministri i maxhorances se krimit të jepte menjëherë dorëheqjen, ndërseu lukuninë e budallenjve të shfaqeshin se ishin të shqetësuar medemek, ngase nuk është ruajtur sekreti hetimor?! Ruajtja e sekreti hetimor është çeshtje e Prokurorisë, jo e deputeteve te maxhorancës!” – shton ai.
Në fund Rama u bën thirrje qytetarëve që të ngrihen të gjithë së bashku edhe më të bashkuar kundër krimit shtetëror, duke akuzuar prokurorinë për shkelje të Kushtetutës dhe si vegël të qeverisë.
“Problemi dhe ne fakt halli i madh i deputetëve të maxhorancës, është përmbajtja e përgjimeve të zbardhura, të cilat nëse nuk do të ishin publikuar e denoncuar publikisht, do të ishin varrosur prej një prokurorie të kapur e të zvetnuar prej shërbimit si instrument nën varësinë e krimit shtetëror! Nga kjo pozitë mjerane si shërbëtore e krimit shtetëror dhe pasi mori vijësjelljen politike prej maxhorancës, Prokuroria nxorri urdhërin antikushtetues për të mos lejuar publikimin e të vertetave te krimit shtetëror, duke dëshmuar kësisoj panikun dhe frikën, që është sjellja tipike e të gjithë kriminelëve që ndjejnë t’u afrohet ora e ndëshkimit! Urdhëri për çensurë i Prokurorisë është një akt tjetër i shëmtuar shtetëror për të cënuar lirinë e shtypit dhe të drejtën e qytetarëve për informim, është një akt tjetër për të sabotuar çeljen e negociatave me Bashkimin Europian! E vërteta është apel për t’u ngritur, të gjithë bashkë e më të vendosur kundër krimit shtetëror! E keqja nuk largohet, por luftohet!” – mbyll Rama statusin e tij në Facebook.