Vendosni fjalën kyçe....

Konfirmohen 46 të vdekur nga protestat në Sudan


Autoritetet e Sudanit kanë konfirmuar vdekjen e 46 protestuesve, pas ndërhyrjes ditën e hënë të forcave të sigurisë në Sudan ndaj protestuesve të mbledhur përpara shtabit ushtarak në kryeqytetin Hartum.  

Mediat raportonin se numri i vdekjeve kishte arritur deri në 100, por një zyrtar sudanez e ka mohuar këtë.

Të mërkurën, mjekët e lidhur me opozitën thanë se së paku 100 vetë u vranë në kryeqytetin Khartoum, mes protestave pro-demokracisë.

Sikurse i citon “BBC“, ata thanë se 40 trupa u nxorrën nga Lumi Nil në Khartoum të martën.

Aktivistët e opozitës sudaneze kanë hedhur poshtë ofertën për bisedime nga këshilli ushtarak i vendit, duke thënë se nuk mund të besohet mes një goditjeje të dhunshme ndaj protestuesve.

Banorët i thanë “BBC”-së se ata jetojnë me frikë në kryeqytet.

Nënkryetari i këshillit ushtarak mbrojti ndërhyrjen e dhunshme të forcave të sigurisë që shkaktuan dhjetëra viktima, duke pretenduar se protestuesit ishin infiltruar nga elementë mashtrues dhe shitës droge.

Raporte të shumta nga Khartoumi, thanë se njësia paraushtarake, RSF, patrullon nëpër rrugët gati të shkreta të qytetit, duke targetuar civilët.

I njohur dikur si milicia e Janjaweed, RSF fitoi famë për mizoritë brutale në konfliktin e Darfurit në Sudanin perëndimor në 2003.

Sudani kontrollohet nga një këshill ushtarak pasi protestat pro-demokracisë çuan në rrëzimin e presidentit veteran Omar al-Bashir në prill, pas sundimit autoritar prej 30 vjetësh.

Demonstruesit pushtuan sheshin përpara selisë ushtarake, ndërsa përfaqësuesit e tyre kishin negociuar me këshillin ushtarak dhe ranë dakord për një tranzicion trevjeçar që do të kulmonte në zgjedhje.

Por të hënën, forcat e sigurisë hapën zjarr mbi protestuesit e paarmatosur në shesh. Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i këshillit ushtarak, njoftoi se marrëveshja u anullua dhe zgjedhjet do të bëheshin brenda nëntë muajve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *