Senatorët republikanë i kanë kundërshtuar ashpër planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e taksave për mallrat e importuara nga Meksika.
Në një takim të mbyllur me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, senatorët kanë thënë se janë duke e shqyrtuar bllokimin e tyre.
Presidenti amerikan ka thënë se planifikon të zbatojë taksë prej pesë për qind për mallrat që vijnë nga Meksika duke filluar nga java e ardhshme.
Në anën tjetër, presidenti Trump, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Britani të Madhe, tha se republikanët do të tregoheshin budallenj, nëse përpiqen ta pengojnë planin e tij.
Sipas propozimit të Trumpit, taksat për mallrat meksikane do të rriten çdo muaj për 5 për qind dhe në këtë mënyrë ato do të arrijnë në 25 për qind deri në tetor, nëse Meksika nuk ndërmerr masa për pengimin e imigrantëve që po arrijnë në kufirin me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump e ka akuzuar Meksikën për mungesë të veprimeve kundër grumbillit të madh të imigrantëve që po përpiqen ta kalojnë ilegalisht kufirin me Shtetet e Bashkuara.
Në muajin shkurt, ai e shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare pikërisht për këtë arsye, shkruan “BBC”.