Vendosni fjalën kyçe....

Putin firmos dekretin: 5 milionë rubla dëmshpërblim për familjet e ushtarëve të vrarë


Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret të hënën duke urdhëruar pagesa prej 5 milionë rubla (ose 81 mijë e 500 dollarë) për familjet e anëtarëve të Gardës Kombëtare të Rusisë që vdiqën në Ukrainë dhe Siri.

Siç shkruan Reuters, ky dekret përbën njohjen zyrtare se anëtarët e gardës, të njohur si Rosgvardia, janë ndër viktimat e luftës në Ukrainë që Rusia e përshkruan si një operacion ushtarak special.

Forca e cila i përgjigjet drejtpërdrejt Putinit, u krijua në vitin 2016 për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar dhe është përdorur brenda vendit për të shtypur protestat paqësore antiqeveritare.

Analistët perëndimorë e kanë interpretuar vendosjen e saj që në fazat e hershme të luftës në Ukrainë si një shenjë e besimit të gabuar se Rusia do të pushtonte shpejt qytetet e mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Kievin, ku Rosgvardia mund të përdoret më pas për të ruajtur rendin.

Në fakt, forcat ruse u mundën nga Kievi dhe nga qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, dhe tani janë të përqendruara në luftime të rënda në rajonin lindor të Donbasit.

Putin kishte shpallur tashmë skema kompensimi për familjet e ushtarëve të vdekur dhe të plagosur. Rusia nuk i ka përditësuar shifrat e viktimave që nga 25 marsi, kur tha se 1 mijë e 351 ushtarakë ishin vrarë dhe 3 mijë e 825 u plagosën. Ukraina dhe qeveritë perëndimore thonë se numri është shumë herë më i lartë.