Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi fton shqiptarët në protestë: Sot më shumë se kurrë


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në protestën e sotme që do të mbahet përpara Kryeministrisë.

Sipas Kryemadhit, Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për forcën e protestave qytetare.

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës!

Sot është dita e qytetarëve.

Prandaj të gjithë bashkë, 
pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar, 
burra apo gra, 
nga fshati apo nga qyteti, 
nga Jugu a nga Veriu, 
me apo pa parti, 
të majtë apo të djathtë,
të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!

Shqipëria pa varfëri dhe me punë të ndershme, pa korrupsion e në luftë me krimin e organizuar, pa drogë e oligarkë, por me njerëz që e duan familjen dhe atdheun e konsiderojnë shtëpinë e tyre, është më e rëndësishme, më e madhe dhe më e fortë se Edi Rama dhe klani i tij kriminal!

Sot më shumë, sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!”, shkruan Kryemadhi.

Protesta e opozitës së bashkuar është planifikuar të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë. Rreth 1700 efektive policie do të jenë në gadishmëri për mbarëvajtjen e kësaj proteste.