Vendosni fjalën kyçe....

Sot opozita në protestë: Sëbashku të ndryshojmë fatin e vendit


Sot do të mbahet protesta e radhës e opozitës së bashkuar, përpara selisë së Kryeministrisë. Dje kreu i PD-së Lulzim Basha, publikoi spotin e protestës së planifikuar për në orën 19:00.

“Të gjithë të bashkuar do ta ndryshojmë fatin e vendit tonë! Nuk do ta lëmë Shqipërinë në duart e një bande që ka marrë peng të ardhmen e një populli të tërë. Koha e banditëve në pushtet ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve! Asnjë hap pas! Nesër të gjithë në shesh në orën 19:00, 2 qershor.”, shkruan Basha.

Me dhjetëra pamje skandaloze përbëjnë spotin, mes të cilave të kriminalizuarit, koncesionet, zyra e Ramës etj.

Protesta në fakt ishte vendosur të mbahej më 31 maj, por opozita e shtyu me dy ditë, për shkak të Natës së Kadrit, një natë e shenjtë për besimtarët myslimanë.

 “Nisur nga fakti që data 31 Maj është Natë Kadri, në respekt të besimtarëve myslimanë; dhe nisur nga fakti që data 1 Qershor është dita e fëmijëve;
Protesta kombëtare do të mbahet me datë 2 Qershor 2019, ora 19.00, përpara Kryeministrisë”, thuhej në njoftimin e opozitës.

Opozita e bashkuar ka më shumë se 3 muaj në protesta që prej djegies së mandateve më 20 shkurt.

Protesta e fundit u mbajt ditën e shtunë, më 25 maj. Nisi në orën 19:00 ku dhjetëra mijëra qytetarë mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku si herët e tjera, policia e kishte rrethuar kryeministrinë me gardh metalik ndërsa kishte vendosur shumë forca policie të pajisur me maska kundër gazit lotsjellës, që është përdorur thuajse në të gjitha protestat e tjera.

Pas protestës, Lulzim Basha tha se ëndrra për të sunduar popullin do marrë përgjigjen e merituar ndërsa vendos tre kushte për zgjidhjen politike, duke nënvizuar se duhet largimi i Ramës, qeveria trazitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa! Europa e dëgjoi zërin e shqiptarëve të bashkuar. Çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor, popullin perëndimor të Shqipërisë, do të marrë përgjigjen e merituar. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e faktuara të vjedhura. Nuk do të pranojnë më zgjedhje fallso të kryeministrit të kapur në krim. Tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme.”, shprehej Basha.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nga ana tjetër, tha se lufta që po bën opozita nuk është për rotacion politik por lufta për ndryshimin e sistemit.

“Kjo është beteja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe gjithë opozitës së bashkuar. Edhe pse mes shumë sakrificave, pikëpyetjeve, shpesh herë edhe mosbesimit, ne po tregojmë çdo ditë se kjo nuk është më thjesht një luftë politike për rotacion, por është lufta e ndryshimit të një sistemi të marrë fund, që prodhon vetëm metastaza, duke shkurtuar jetën e një kombi! Forca jonë qëndron te drejtësia e kauzës tonë, që shkon përtej karrigeve të liderëve, por u dedikohet fëmijëve e familjeve shqiptare, vendit tonë të bekuar që mbahet peng nga gabimet e politikës së vjetër”– tha kryetarja e LSI-së pas proteste./Hashtag.al