Vendosni fjalën kyçe....

Kompanitë koncesionare, në pamundësi financiare për PPP-të. Nga do i gjejnë paratë?! (Tabela)


Nga Ornela Liperi

Qeveria është angazhuar në një sërë projektesh me partneritet publik privat për ndërtimin e rrugëve. Pamundësia e qeverisë për të siguruar financim të menjëhershëm nga fondet e veta është argumenti kryesor që është dhënë për këtë zgjedhje, teksa parimisht financimi fillestar duhet bërë nga kompanitë dhe më pas shteti fillon e paguan nga buxheti me këste, në momentin që janë kryer të paktën 25% e punimeve.

Por, të dhënat tregojnë se edhe kompanitë nuk kanë kapacitete financiare dhe e kanë të vështirë të marrin hua në banka me bilancet që kanë për shkak të nivelit të lartë të detyrimeve ndaj kapitalit të vet, duke lënë si opsion të vetë që shteti të dalë garant për ta, çka do të ishte njësoj sikur huanë ta merrte vetë shteti dhe duke hedhur dyshime për burimin real të parave që do përdoren. Kësaj i shtohen edhe kostot e fryra të projekteve, që arrijnë deri 15 milionë euro për kilometër, më të shtrenjtat në Europë (Sipas ËorldHighëays, kostot më të shtrenjta të ndërtimit të autostradave në Europë (përjashtuar terrenet shkëmbore) janë në Austri me 12.87 milionë euro / km. Vendi tjetër më i shtrenjtë është Hungaria në 11.21 milionë euro / km, e ndjekur nga Sllovakia në 9.56 milionë euro / km dhe pastaj Republika Çeke në 8.86 milionë euro / km. Në anën tjetër të spektrit, shpenzimet në Danimarkë janë vetëm 5.89 milion € / km, në Kroaci 6.68 milion / km, në Slloveni 7.29 milion / km dhe në Gjermani 8.24 milion / km).

“Monitor” ka analizuar më herët bilancet financiare të vitit 2017, të kompanive që janë angazhuar apo pritet të angazhohen me kontrata Partneriteti Publik-Privat A.N.K. (koncesioni Milot-Balldren, 260 mln euro me TVSH), Gjikuria (Orikum-Dukat, 80 mln euro me TVSH), Gener 2 (Thumanë-kashar, e lënë pezull për momentin), Gjoka Konstruksion (Rruga e Arbrit, 312 mln euro me TVSH), si dhe Albstar (Tiranë-Durrës, në projekt).

Sipas deklarimeve zyrtare në bilanc, kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta (me përjashtim të Alb-Star), çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

Dy kompanitë më të mëdha janë Alb-Star dhe Gener 2, me të ardhura rreth 68 milionë euro secila. Këto janë dhe kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri, sipas të ardhurave. Alb-Star ka një kapital total prej 50 milionë eurosh dhe Gener 2, rreth 28 milionë euro.

Asetet afatshkurtra, që tregojnë likuiditetin e kompanisë (si cash-i në bankë dhe llogaritë e arkëtueshme) janë 60 milionë euro për Alb-Star dhe 38 milionë euro për Gener 2.

Pas tyre renditet Gjoka Konstruksion me 36 milionë euro të ardhura dhe asete afatshkurtra 43 milionë euro. Kompani më të vogla janë Gjikuria dhe A.N.K, me të ardhura përkatësisht 19.5 dhe 16.5 milionë euro dhe asete afatshkurtra që nuk i kanë 14 milionë euro secila. Me përjashtim të Gjoka Konstruksion, që ka një normë fitimi prej 16%, kompanitë e tjera e kanë këtë tregues minimal, në 1-4%. Kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta, çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

Kompanitë, më shumë borxhe sesa mjete të vetat

Sipërmarrjet e ndërtimit të rrugëve nuk i kanë “shpëtuar” tendencës së përgjithshme të ekonomisë shqiptare, ku kompanitë kanë një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, p.sh. ortakët. Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet.

Në rast se ky raport po rritet, kompania po financohet nga kreditorët sesa nga mjetet e veta, që mund të jetë një tendencë e rrezikshme. Huadhënësit dhe investitorët zakonisht preferojnë raporte të ulëta të borxhit ndaj kapitalit. Bankierët pohojnë se në Shqipëri ata preferojnë që ky raport, i cili tregon se sa kompania financohet me borxhe dhe sa me mjetet e veta, të jetë më i ulët se 1, për shkak se do të jenë më të mbrojtura, në rast se biznesi ka probleme.

Nga kompanitë në fjalë, vetëm Alb-Star ka një raport të detyrimeve/kapitalit prej 0.8, pra më të ulët sesa 1 (ka më pak borxhe sesa mjete të veta) dhe Gjoka e ka këtë raport në 1.13. Treguesin më të përkeqësuar e ka Gjikuria, pra 4.96 (detyrimet janë pesë herë më të mëdha se kapitali), A.N.K e ka 3.96 dhe pak më të ulët e ka Gener 2, në 2.13.

Bankat, skeptike për kredi sindikatë

Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare. Bëhet fjalë për hua në shuma të mëdha, të cilën, një bankë e vetme është e pamundur ta financojë një koncesion.

Bankat, në bazë të ligjit, nuk mund të japin kredi për një klient të vetëm më shumë se 20% të kapitalit të tyre rregullator (10% kur bëhet fjalë për një kompani që ka lidhje me grupin bankar).Banka më e madhe në vend ka një kapital prej rreth 300 milionë eurosh, pra nuk mund të japë hua më shumë se 60 milionë euro për një klient të vetëm. Ndonëse bankat vitet e fundit e kanë rritur kapitalin, si kërkesë rregullatore e Bankës së Shqipërisë apo se një pjesë e fitimeve nuk janë shpërndarë si dividend, por kanë kaluar si shtesë kapitali, bankat nuk kanë qenë të prira të rrisin shumën e financimit për një klient të vetëm.

Zgjidhja e vetme për kredi në shuma të mëdha, pohojnë bankierët, është nëpërmjet huave sindikatë. Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. “Projektet sindikatë janë me risk të lartë dhe nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme”, thotë drejtuesi i departamentit të kredisë së një banke, që ka qenë e përfshirë në një hua të tillë. Bankat shpesh kanë hasur vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët, për vendime si p.sh. ristrukturimi i huasë.

Për më tepër që pjesa më e madhe e bankave janë përfshirë në një proces shitblerjesh, duke e lënë mënjanë huadhënien.

Në fund të vitit 2017, kapitali rregullator i sistemit bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 1.1 miliardë euro. Sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.

Një tjetër problem është ekspozimi i kredimarrësit. Nëse kompania ka hua në të paktën një prej bankave të projektit sindikatë, kjo mund të çojë në mosmiratimin e kredisë së përbashkët.

A.N.K, bilanci nuk justifikon asgjë

Kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, një koncesion i pakërkuar i dhënë kompanisë A.N.K është 213.6 milionë euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP. 

Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua  bankare prej  70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi  nga furnitorët  prej 19.5 milionë euro dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet.

Pjesa e mbetur prej 72 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë, teksa kjo shumë përbën rreth 34% të totalit (pa TVSH), ose rreth një të tretën e kostos totale të rrugës, çka e çon koston totale për kilometër në 15 milionë euro për kilometër (përfshirë TVSH).

Ndërsa kompania premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Detyrimet e kompanisë janë gati 4 herë mbi kapitalin, çka e bën atë jo tërheqëse për bankat në momentin që duhet të jepet vendimi për akordimin e një huaje.

VINI RE: Shkrimi është pronësi intelektuale e “Monitor”.

 

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *