Vendosni fjalën kyçe....

Vetingu/ Gjyqtarit Fuat Vjerdha i “zhduken” 40 milionë lekë kursime


Gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha, i cili përballet të Hënën me Vetingun, i janë “zhdukur” rreth 4 milionë lekë të reja (40 mln të vjetra) kursime, të deklaruara në formularët e pasurisë, në periudhën 2007-2015.

“Boldnews.al” konsultoi deklaratat e interesave private të kreut të Apelit të Shkodrës. Sipas vetëdeklarimit, ai rezulton të mos ketë bërë jetë luksoze, me shpenzime të mëdha. Për më tepër, ai është treguar shumë kursimtar.

Në formularët e pasurisë, kryesisht në periudhën 2007-2015, gjyqtari Vjerdha deklaron se ka realizuar kursime vjetore saktësisht në shumën 500 mijë lekë të reja për vit. Pra, me një llogari të thjeshtë, ai ka kursyer rreth 4 milionë lekë të reja.

Në periudhën 2007-2009, gjyqtari Vjerdha duhet të jetë shtrënguar shumë në shpenzime, për faktin se paga e tij, e vetmja në shtëpi, ka shërbyer për plotësimin e nevojave bazike dhe për kursimin e shumës 500 mijë lekë.

Në vitet pasuese, paga e gjyqtarit rritet gradualisht dhe kursimi vjetor prej 500 mijë lekësh realizohej pa shtrëngesa të tepruara.

Pasi deklaron për vit kursime në shumën 500 mijë lekë (5 mln lekë të vjetra), gjyqtari Vjerdha nuk shënon se si janë trajtuar këto shpenzime, të cilat, sipas logjikës aritmetike, kanë arritur në vlerën e 4 milionë lekëve të reja.

Në deklarimet periodike vjetore, deri në vitin 2017, Vjerdha rezulton se nuk ka kryer asnjë investim apo blerje, në të cilën të shpenzonte këtë shumë. Nuk rezulton që t’i ketë në gjendje cash, pasi nuk ka bërë një deklarim të tillë.

Gjithashtu, nuk rezulton që një shumë e tillë e konsiderueshme të jetë depozituar në llogari bankare. Gjyqtari Vjerdha deklaron se ka një llogari bankare në Raiffeisen Bank.

Nuk e deklaron shumën që ka depozituar, por në mënyrë indirekte kuptohet që sasia që ka në bankë është e vogël. Gjatë 2-3 viteve të fundit, gjyqtari Vjerdha deklaron përfitime nga interesat bankare, të cilat janë në shuma të vogla, në rendin e 50-60 mijë lekë të reja në vit, gjë që do të thotë se edhe llogaria bankare vetë është në shuma të vogla.

Gjyqtari Fuat Vjerdha do të jetë të hënën e kësaj jave në seancën dëgjimore para Komisionit të Vetingut dhe, me shumë mundësi, do të japë shpjegimin e tij se ku “u zhdukën” 40 milionë lekë (të vjetra) kursime.

Ose, me shumë mundësi, do të shpjegojë se bëhet fjalë për “lapsus” në deklarim, një “gabim material”, me shumë zero, në plotësimin e formularit të pasurisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *