Një 31-vjeçar dyshohet se është vetëvrarë me plumb në kokë. Sipas policisë, Ari Hoxha, është nisur i armatosur drejt banesës së bashkështortes.
Hoxha ka qenë person i shpallur në kërkim për dhunë në familje dhe policia është nisur menjëherë drejt vendngjarjes duke rrethuar zonën.
Pas kësaj efektivët në vendngjarje kanë dëgjuar një të shtënë arme zjarri dhe rreth 150 metra larg banesës së prindërve të Hoxhës, e kanë gjetur këtë të fundit të vdekur me një shenjë plumbi në kokë.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos morën informacion nga qyetarët se shtetasi në kërkim Ari Hoxha, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gurrë, i armatosur po shkonte në drejtim të banesës së bashkëshortes, në fshatin Plan i Bardhë Klos.
Shërbimet e Policisë të Stacionit Klos u nisën menjëherë drejt adresës ku kishin marrë informacionin për personin e armatosur, i cili ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhunë në familje”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos kanë kërkuar përforcime dhe kanë rrethuar në distancë banesën.
Në pritje të ardhjes së përforcimeve nga DVP Dibër, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar një të shtënë armë zjarri. Rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit është gjetur, dyshohet i vetëvrarë me një plumb në kokë shtetasi Ari Hoxha.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Matit është në vendngjarje ku vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”