Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësja e “Austrian Airlines” pas grabitjes në Rinas: S’ka më transferta cash nga Tirana në Vjenë!


Zëdhënësja e Austrian Airlines Tanja Gruber ka deklaruar se “nuk do të ketë më transferta cash të parave nga Tirana drejt Vjenës”. Kjo deklaratë vjen pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, të 10 milionë eurove.

Në një prononcim për “The Guardian”, Gruber thotë se paratë po ngarkoheshin në avion në momentin që ndodhi vjedhja.

“Imbarkimi i pasagjerëve sapo ishte kryer. Nuk ka pasur asnjë rrezik për stafin dhe pasagjerët. Nisja e avionit u vonua për gati tre orë.

Si masë sigurie, nuk do të ketë më transferime në para cash nga Tirana në Vjenë”, tha Gruber.

Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, avioni u nis në 18.02 pasdite nga ora 15:05 pasdite që ishte planifikimi.

Gazeta britanike shkruan se policia shqiptare ka njoftuar arrestimin e katër personave dhe ka marrë në pyetje 40 të tjerë. Por në fakt ende nuk ka një njoftim zyrtar për të arrestuarit.

“Sipas raporteve fillestare, shuma e vjedhur ishte 2.5 milion euro (2.8 milion dollarë), por media lokale pretendoi se mund të ishte pesë herë më e lartë.”, shkruhet mes të tjerash në artikull.

Në artikullin e “The Guardian” thuhet gjithashtu se “Bankat e huaja që veprojnë në Shqipëri e dërgojnë paratë në Vjenë, sepse banka qendrore e Shqipërisë nuk pranon depozita të tilla.”