Vendosni fjalën kyçe....

Erion Braçe: Drejtuesi i bandës u eliminua, grabitësit janë identifikuar


Një ditë pas grabitjes në Rinas, ka reaguar zv.kryeministri Erion Braçe. Numri dy i qeverisë thotë se kapja e grabitësve është prioritet.

“Prioritet tani kapja e banditeve! Ndaj mbeshtetje per cdo oficer te policise te perfshire ne hetime e operacionin e panderprere ne terren! Pas kesaj, padiskutim analize e plote e cdo elementi qe ka cenuar rende sigurine nga bankat ne aeroport,
masa te forta per cdokend!”, shkruan Braçe.

Sipas tij janë identifikuar të gjithë grabitësit.

Grabitja ka ndodhur pasditen e djeshme, ku 4 persona të armatosur i janë afruar në pistë një avioni të linjës Tiranë-Vjenë, brenda të cilit ndodheshin 160 pasagjerë.

Më pas ata kanë kërcënuar me armë rojet e makinës së blinduar që transportonte të hollat dhe pasi i kanë detyruar ata të shtrihen përtokë kanë marrë thasët me euro dhe janë larguar me shpejtësi.

Në dalje ata janë përplasur me policinë dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka marrë plumba një prej grabitësve të dyshuar i cili është gjetur më pas i vrarë pak kilometra nga Rinasi. Ky person mendohet se është Adfmir Murataj.

Deri tani policia ka shoqëruar 40 persona, mes të cilëve edhe punonjës sigurie të aeroportit.