Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Në krye të 4 viteve të qeverisë time, nuk do të ketë pensione nën 250 mijë lekë


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar se në krye të mandatit të parë të qeverisë së drejtuar prej tij, nuk do të ketë më pensione nën shifrën 250 mijë lekë të vjetra.

Basha mori si shembull rastin e prindërve të tij, për të cilët tha se pensioni nuk u del as për ilaçe në rast se nuk do të kishin ndihmën e tij.

“Do t’ja heqim hurin e vjedhjes, të 1.7 miliardë eurove vjedhje në 1 vit Edi Ramës, dhe me këto fonde do të nisim politikën e rritjes së pensioneve.

Të mos kemi më pensionistë, që pasi harxhojnë lekët për korrentin, pasi harxhojnë lekët për ilaçet, s’u ngelen lekë as për bukë e për faturën e ujit. Pensionisti mbi moshën 70 vjeç harxhon 60-80 mijë lekë për faturën e tij të ilaçeve.

Unë nisem nga prindërit e mi, 14-vjeç ka filluar punë im atë. Gjithë jetën! Dhe po të mos ketë ndihmë nga unë pensioni nuk i mjafton as për ilaçet e as për energjinë elektrike.

Gjithë jetën nëna ime mësuese, hiq faturën e ilaçeve, dhe të dy bashkë e s’u ngelet as 5 mijë lekë në ditë për muajin. Po jua them se e di fare mirë këtë situatë. Dhe të mendosh se prindërit e mi nuk kanë pensione të ulëta. Po ata që marrin vetëm 70, 80 apo 90 mijë lekë pension, me ça jetojnë? E çan kokën ky (Rama) me ça jetojnë ata?

Ky një shishe verë e blen sa dy pensione. Shoh nganjëhere se disa qeshin me batutat e kryeministrit. Mos qeshni o të mjerë se për çdo shaka që bën, është duke ju vjedhur, ju ka fut dorën në xhep, ju ka fut dorën në shpi.

Vetëm sipas shifrave të KLSH, vjedhja është 100 mijë euro në orë. Një orë me Edi Ramën u kushton shqiptarëve 100 mijë euro. Nuk është humor falas, po tallet me ju. Thirrini mendjes, Bashkohuni me ne, bashkohuni me këtë shumicë, bashkohuni me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, se sot jemi shumicë morale dhe politike. Prandaj,  rritja e pensioneve do të fillojë menjëherë. Pensione nën 250 mijë lekë në muaj në krye të 4 vjetëve nuk do të ketë”, tha Basha gjatë vizitës në Kavajë.