Vendosni fjalën kyçe....

“Ishte gjyq politik!” – Ish-deputetët e opozitës kundër gjykatës që la në burg tre protestuesit


Ish-deputetët e opozitës, Edmond Spaho, Klevis Balliu të PD-së si dhe Endrit Braimllari i LSI-së, kanë kundërshtuar vendimin e sotëm të gjykatës së tiranës, që la në burg tre protestues, pasi kishin marrë pjesë në protestën e 21 marsit.

Ish-deputetët të cilët kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, e kanë cilësuar këtë si një “gjyq politik” dhe si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të frikësuar qytetarët që të mos protestojnë më kundër tij.

Edmond Spaho: Për tre të ndaluar u vendos “arrest me burg” pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim se do të trembë protestuesit në protestat e ardhshme që do të organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës. Por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë sepse kur qytetarët përplasen me qeverinë fituesit janë qytetarët. Kështu do të ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën, i cili shpejt do ta lërë karrigen e pushtetit.

Klevis Balliu: Për Dorian Protoduarin ju them me bindje të plotë që as nuk ka qenë gjatë protestës, ka qenë me një nga kameramanët. Nuk ka qenë fare te pjesa ku pati shtyrje me policinë. Akt i turpshëm politik që i kthen këto gjykata në ambjente të PS, nuk mund të quhen gjykata. Edi Rama i shpalli sot “luftë” Unazës së Re me këtë vendim të turpshëm ndaj Dorian Protoduarit dhe ne ashtu do të përgjigjemi. Do të të ndjekim se je në kafe, se je në restorant, se je në takime dhe protestojmë ndaj teje. Po deshe na fut në burg të gjithëve se edhe po na fute në burg, protesta do të vazhdojë dhe nga burgu. Nuk do të na ndalësh dot.

Endrit Braimllari: Është e qartë se është një ndalim, por dhe gjykim politik. Tanimë kjo është e dukshme jo vetëm për masat e marra sot, por për  të gjithë protestuesit. Jetojmë në një vend ku kemi bëjmë me një qeveri, e cila është e kapur totalisht nga krimi i organizuar. Është e kapur totalisht duke vjedhur hapur tek Unaza e Re dhe ndalohen dhe arrestohen protestues, të cilët protestojnë për shtëpitë e tyre, pronën e tyre, dhe sot janë të lirë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Afrim Qendro që kërkonin t’i prishnin shtëpinë Dorjanit dhe banorëve të tjerë të Unazës së Re për të gllabëruar 40 milion euro.

Keni parë vetëm 2 ditë më parë një përgjim zyrtar të Prokurorisë shqiptare, ku drejtori i policisë së Qarkut të Fierit komunikon me kriminelë ordiner në telefon dhe i thotë se do të sjellë dhe para. Ai është ende i lirë, Dorjani sot është në burg. Pra ky është morali i kësaj qeverie dhe ky është morali që sot Edi Rama ka përpara shqiptarëve. Ka totalisht një sistem drejtësie të kapur nga Edi Rama. Ka totalisht një presion që ushtrohet nga kjo qeveri, por nuk do të ndalë Edi Rama me gjithë bandën e tij protestat popullore.

Tanimë fati i shqiptarëve varet nga vetë shqiptarët, dhe Edi Rama nuk mund të mbajë më peng shqiptarët. Edi Rama sot bën një gjyq politik për të trembur banorët e Unazës së Re, për të trembur protestuesit, por të jeni të bindur që ditën e enjte, por dhe në protestat e tjera shumë herë më shumë protestues do të jenë në shesh sepse janë të bindur në rrugën e tyre. Tanimë për Shqipërinë nuk ka më kthim pas, duhet të largohet Edi Rama dhe kjo qeveri mafioze që të çlirohen shqiptarët. Kjo është e qartë për të gjithë.

Gjykata e Tiranës la sot në burg tre nga gjashtë të arrestuarit në protestën e fundit të opozitës të organizuar para Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Mariglen Doçin, Dorian Protoduarin dhe Emiljan Mustafa.

Tre të tjerët, Jurgen Gjikola, Bledar Dollia dhe Arbër Kola u lanë në “arrest shtëpie”.

Ata akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *