Vendosni fjalën kyçe....

E dogji mandatin në protestën e 5 marsit, ndërron mendje një javë më vonë kandidati i PD-së


Një tjetër kandidat nga listat e opozitës ka marrë mandatin e deputetit, pas një seance me shmë debate mes kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zguri dhe nënkryetarit, Biba.

Alban Zeneli ka marrë deputetin e Flamur Nokës në Kukës. Ai e kishte dorëzuar formularin e dekriminalizimit pak ditë më parë ndërsa sot është zyrtarizuar si deputet.

Zeneli kishte firmosur më parë djegien e mandatit të tij. Ai mori fjalën në protestën e 5 marsit duke djegur publikisht mandatin ndërsa ka ndërruar mendje duke e marrë atë sot.

Formularin e dekriminalizimit e ka dorëzuar sot një kandidat tjetër nga listat e opozitës. Bëhet fjalë për Ralf Gjonin, që ka qenë në listat e Lëvisjes Socialiste për Integrim në Tiranë.

Deri tani mandatin e deputetit e kanë pranuar 10 kandidatë, 4 prej të cilëve janë betuar në parlament ndërsa të tjerë do e bëjnë betimin në seancën e ditës së nesërme. Ndërsa nuk e kanë dorëzuar atë 3 deputetë, Lefter Koka i LSI-së dhe dyshja demokrate Murrizi-Hajdari.

Karriera e Zenelit

Gjatë qeverisjes së PD-së, Alban Zeneli ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe këshilltarit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit.

Gjatë viteve 2013-2017, Zeneli është zgjedhur deputet në Qarkun e Kukësit. Në Kuvend, ish-deputeti i PD-së ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Në CV-në e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Zeneli deklaron se ka kryer arsimin e lartë dhe master në fushën e Sigurisë.

Dënimet

Ndërkohë, në formularin e dekriminalizmit Zeneli pranon se është dënuar dy herë me vendime gjyqësore të shkallës së prerë.

Në gusht të vitit 1992, Zeneli është dënuar me 6 muaj heqje lirie për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Zeneli është dënuar me vendim të formës së prerë edhe në vitin 1996 me 30.000 lekë gjobë, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe prishje të qetësisë publike.