Qyteti i Los Angeles në Kaliforni, u trondit për natën e tretë radhazi nga trazirat që kanë nisur që nga e premtja, pasi mijëra protestues dolën në rrugë për të demonstruar kundër operacionit të administratës Trump për përzënien e emigrantëve të paligjshëm dhe vendimit të presidentit për të vendosur Gardën Kombëtare në qytet pas natës së mëparshme të trazirave.
Gjatë gjithë natës, protestuesit bllokuan një autostradë kryesore dhe i vunë flakën makinave, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata zhurmuese për të rimarrë kontrollin.
Shumë protestues u shpërndanë me të rënë muzgu në Los Angeles, pasi policia e shpalli zonën e protestës një tubim të paligjshëm, duke sinjalizuar se oficerët do ndërhynin dhe do arrestonin këdo që refuzonte të largohej.
Disa protestues që qëndruan hodhën objekte drejt oficerëve nga pas një barrikade të improvizuar të ngritur në gjithë gjerësinë e rrugës, ndërsa të tjerë hodhën blloqe betoni, gurë, skuterë elektrikë dhe fishekzjarre. Oficerët e policisë u panë duke vrapuar për t’u fshehur nën një urë.
Pika qendrore e demonstratave të së dielës në mbrëmje në Los Angeles – një qytet me katër milionë banorë – ishin disa blloqe në qendër të qytetit.
Ishte nata e tretë dhe më e forta e protestave kundër politikave të emigracionit të presidentit Donald Trump, këtë herë të nxitura nga mbërritja e afërsisht 300 trupave të Gardës Kombëtare të dërguara në qytet me urdhër presidencial – një akt që i zemëroi banorët. Trupat u vendosën posaçërisht për të mbrojtur ndërtesat federale, përfshirë një qendër paraburgimi në qendër të qytetit ku mbaheshin protestuesit e arrestuar.
Shefi i LAPD, Jim McDonnell, tha gjatë natës se oficerët ishin më të pakët në numër se protestuesit që mbetën në zonën e trazirave dhe se midis protestuesve ishin identifikuar agjitatorë të njohur – individë që marrin pjesë rregullisht në protesta për të nxitur trazira.
Përveç dhjetëra të arrestuarve gjatë fundjavës, disa të tjerë u ndaluan gjatë natës, përfshirë një që hodhi një koktej Molotov drejt oficerëve dhe një tjetër që drejtoi një motoçikletë drejt një rreshti policie në një përpjekje për t’u përplasur. FBI po ofron një shpërblim prej 50,000 dollarësh për informacion mbi një të dyshuar që hodhi gurë drejt automjeteve të policisë dhe plagosi një oficer.
Trump, i cili të dielën deklaroi se protestuesit e maskuar në Los Angeles nuk do lejoheshin më të demonstronin ndërsa mbulonin fytyrat e tyre, iu përgjigj gjatë natës vërejtjeve të McDonnell duke e urdhëruar atë të arrestonte këdo që shfaqej me fytyrat e tyre të mbuluara.
“Duket shumë keq në Los Angeles,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Dërgoni trupat!!!”
Protestat në Los Angeles filluan të premten në mbrëmje në qendër të qytetit dhe deri të shtunën ishin përhapur në Paramount, një qytet latino-amerikan në jug të Los Angeles-it, dhe në Compton-in aty pranë. Ato filluan pasi agjentët federalë ndaluan emigrantë në disa vende në të gjithë Los Angeles-in. Deri më tani, mbi 100 emigrantë pa dokumente janë arrestuar, me shumë të tjerë të ndaluar për pjesëmarrje në trazira.
Trump ka premtuar vazhdimisht, gjatë dhe pas fushatës së tij zgjedhore, të deportojë numrin më të madh të emigrantëve pa dokumente ndonjëherë dhe të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë. Ai i ngarkoi Zyrës së Imigracionit dhe Doganave (ICE) arrestimin e të paktën 3,000 emigrantëve në ditë. Sipas regjistrimit më të fundit të SHBA-së, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Los Angeles – e qeverisur nga një administratë që drejtohet nga zyrtarë të Partisë Demokratike – është hispanike ose e lindur jashtë vendit.
Trazirat në Kaliforni rifilluan herët në mëngjes të dielën sipas kohës lokale, ndërsa protestuesit u përleshën me trupat e armatosura të Gardës Kombëtare të vendosura në rrugë. Demonstruesit bërtitën “Turp!” dhe “Shkoni në shtëpi!” ndaj ushtarëve. Pasi disa aktivistë iu afruan shumë Gardës Kombëtare, një grup tjetër personeli sigurie me rroba civile iu afrua dhe përdori granata tymuese.
Çast më vonë, oficerët e LAPD qëlluan municione që përdoren për kontrollin e turmës për të shpërndarë demonstruesit dhe shumë protestues lëvizën për të bllokuar trafikun në Autostradën 101 derisa forcat e sigurisë i larguan. Jo shumë larg vendit të ngjarjes, të paktën katër automjete u dogjën, duke lëshuar tym të zi të trashë në ajër.
Ndërsa afrohej mbrëmja, policia e shpalli zonën një tubim të paligjshëm dhe mbylli disa rrugë në qendër të qytetit. Shumë protestues valëvitën përsëri flamuj meksikanë.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, një demokrat i përmendur shpesh si një kandidat i mundshëm presidencial dhe një objektiv i hershëm i kritikave të Trump si “tepër progresiv”, i bëri thirrje presidentit të tërheqë Gardën Kombëtare nga Los Angeles. Newsom argumentoi se vendosja ishte një “shkelje serioze e sovranitetit të Kalifornisë”. Kjo duket të jetë hera e parë që nga viti 1965 që Garda Kombëtare aktivizohet në Kaliforni pa kërkesën e guvernatorit.
Në një intervistë me MSNBC, Newom tha se kishte ndërmend të padiste qeverinë federale për vendosjen e trupave dhe akuzoi Trumpin për fabrikim të krizës dhe minimizimin e sovranitetit të Kalifornisë: “Këto janë veprime të një diktatori, jo të një presidenti”, shkroi ai në X.
Shefi i LAPD-së, McDonnell, duket se e kundërshtoi Neësom-in, duke u thënë gazetarëve se protestat po dilnin jashtë kontrollit. Kur u pyet nëse Garda Kombëtare ishte e nevojshme, ai tha se policia nuk do ta ndërmerrte menjëherë këtë hap, por shtoi: “Duke pasur parasysh nivelin e dhunës sonte, mendoj se duhet ta rivlerësojmë.”
Neësom dhe Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, fajësuan për përshkallëzimin e trazirave vendimin e Trump-it për të vendosur Gardën Kombëtare, duke pretenduar se masa ishte projektuar që nga fillimi për të ndezur tensionet. Të dy u bënë thirrje protestuesve të shmangin dhunën.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani