Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me pasaportat, Rama mbledhje në Ministrinë e Jashtme


Kryeministri Edi Rama po zhvillon një mbledhje në Ministrinë e Punëve të Jashtme.  Mendohet se kjo mbledhje po zhvillohet për shkak të humbjes së pasaportave drejt Greqisë.

Policia greke ka bllokuar para pak ditësh një numër të madh të pasaportave të reja të emigrantëve shqiptarë në Greqi që ishin dërguar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Pasaportat e reja të përgatitura nga kompania koncesionare Aleat, ishin futur në çanta, me të cilat zakonisht transportojmë rroba dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Por gjatë kontrollit të Policisë greke në Pikën Kufitare të Kakavijës, kjo dërgesë ka krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar. Kjo situatë ka krijuar shqetësime dhe për udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë. Por peripecia me pasaportat nuk ka mbaruar në Kakavijë. Një pjesë e tyre janë vjedhur në Athinë. Pasi një punonjës i ambasadës sonë në Athinë e tërhoqi nga Kakavija këtë dërgesë me pasaporta të Ministrisë së Jashtme, makina ku ndodheshin pasaportat është vjedhur në një parkim në Athinë.

Si pasojë, janë vjedhur dhjetëra pasaporta të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Përtej skandalit për sigurinë e dërgesës diplomatike që është bërë jashtë çdo standardi ndërkombëtar, vjedhja e pasaportave ka dhe një kosto shumë të lartë, pasi shqiptarët që kanë aplikuar për to kanë paguar nga 150 euro dhe është e paqartë se kush do të paguajë riprodhimin e pasaportave të reja, pa marrë parasysh këtu dhe vajtjen e tyre përsëri për të aplikuar pranë shërbimeve tona konsullore në Greqi, në Athinë, Selanik dhe Janinë.

Në një komunikatë për mediat, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpjeguar të gjithë itinerarin e transportit të pasaportave, ndërkohë që theksuar se pako e pasaportave u vodhën nga makina e konsullit.

“Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua. Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:

  1. Kqyrja e ambientit dhe makinës;
  2. Marrja e shenjave të gishtërinjve;
  3. Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë”, thekson Ministria e Jashtme, e cila siguron se pasaportat u nxorrën jashtë funksioni dhe janë marrë masa për të siguruar transportin e tyre.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *