Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet Itali-Francë, Luigi Di Maio: Pse i takova Jelekverdhët


Zëvendës-kryeministri i Italisë, Luigi Di Maio ka folur sërish lidhur me takimin e tij me “Jelekët e Verdhë” në Francë. Në një letër dërguar gazetës franceze “Le Monde”, Di Maio thotë se ndihet i frymëzuar nga protestuesit francezë dhe prandaj donte t’I takonte pasi shikon tek ata të ardhmen e Europës.

“Për këtë arsye doja të takohesha me përfaqësuesit e “Jelekëve të Verdhë”… sepse unë nuk besoj se e ardhmja politike e Evropës qëndron në partitë e djathtë apo të majta, ose me të ashtuquajturat parti të reja që në të vërtetë ndjekin traditën”, – shkruan zv.kryeministri Italian.

Di Maio gjithashtu kritikoi qeverinë e tanishme dhe ato të mëparshme franceze dhe i akuzoi për ndjekjen e politikave ultra-liberale që “kanë rritur pasigurinë e qytetarëve” dhe “kanë zvogëluar fuqinë e shpenzimeve.”

Ai tha se nuk ishte i befasuar që populli francez po proteston. Megjithatë, ai tha se Franca ishte një “vend miqësor” dhe e përshkroi popullin e saj si “pikë referimi” në ndjekjen e të drejtave sociale dhe civile.

Letra e Luigi Di Maio-s shihet si një përpjekje për të qetësuar tensionet midis Italisë dhe Francës pas takimit të tij me protestuesit, shkruan “RT”.

Qeveria franceze e konsideroi vizitën e tij si një “provokim” dhe më 7 shkurt njoftoi se kishte tërhequr ambasadorin francez në Romë.

Ministri francez për çështjet evropiane Nathalie Loiseau tha të premten se tërheqja e ambasadorit ishte një përgjigje ndaj Italisë “që kishte kaluar vijën”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *