Vendosni fjalën kyçe....

Thellohet përplasja Romë-Paris, zv.kryeministri italian takon “Jelekët e Verdhë”


Zëvendëskryeministri i Italisë u takua me udhëheqësit e “Jelekëve të Verdhë” të Francës, duke u shtrirë dorën për t’i ndihmuar dhe duke i dhënë më shumë oksigjen përplasjes mes presidentit francez Macron dhe qeverisë në Romë.

Luigi di Maio, zv.kryeministër dhe kreu i Lëvizjes anti-establishment të Italisë, “5-Yjet”, u ul me dy nga krerët e “Jelekëve të Verdhë”, Cristophe Chalencon dhe Ingrid Levavasseur.

“Era e ndryshimit ka kapërcyer Alpet!”, shkroi ai në llogarinë e tij në “Tëitter”, duke publikuar një fotografi të tij me të dy.

Udhëheqësit e “Jelekëve të Verdhë” i kishin hequr jelekët e tyre gjatë takimit, por kjo nuk e bëri takimin më pak domethënës.

“Kemi shumë qëndrime dhe vlera të përbashkëta, të tilla si mbrojtja e qytetarëve, të drejtat sociale, demokracia direkte dhe mjedisi”, tha lëvizja “5-Yjet”.

Ndërkohë që lëvizja e di Maio-s nuk pritet të ketë reagime të mira nga Parisi, ai nuk është zyrtari i parë i lartë që publikisht ka shpehur mbështetjen për lëvizjen franceze.

Matteo Salvini, një zëvendëskryeministër i cili kryeson partinë e “Lega Nord” ka deklaruar pak kohë më parë se mbështet “qytetarët e ndershëm që protestojnë kundër një presidenti që qëndronte kundër popullit të tij”.

Në një tjetër qëndrim, Salvini, tha se francezët “do të jenë në gjendje të çlirojnë veten nga një president i tmerrshëm” më 26 maj, kur zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *