Vendosni fjalën kyçe....

BE vështirëson kushtet për gazin rus


Të trembura nga vartësia nga gazi rus, vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur të ashpërsojnë kushtet për aksesin e tij në tregun europian. Pakti i vendeve anëtare vjen në një kohë kur kanë nisur punimet për gazsjellësin “Rrjedha e Veriut 2”, që do të rrisë influencën e Rusisë në kontinentin e vjetër.

Ambasadorët e vendeve të BE’së kanë rënë dakord që të ashpërsojnë kushtet për funksionimin e gazsjellësit të ri rus në Gjermani, edhe pse pa penguar realizimin e projektit. Bëhet fjalë për gazsjellësin “Rrjedha e Veriut 2”, 1 mijë e 225 kilometra i gjatë, i cili do të kalojë përmes detit Baltik. Punimet për projektin në fjalë kanë nisur dhe pritet të mbyllen në fund të 2019.

Vendet anëtare dëshirojnë që gazsjellësit që depërtojnë në bllokun europian të funksionojnë sipas rregullave të tij të energjisë. Por nga ana e saj, Gjermania druhet se një lëvizje e tillë do të dëmtojë përfitimet ekonomike të gazsjellësit.

Por pavarësisht qëndrimeve të kundërta, ambasadorët ranë dakord mbi kompromisin franko-gjerman të arritur vitin e kaluar, që parashikon që Gjermania të mbetet vendi lider në negociatat për projektin “Rrjedha e Veriut 2”. Aktualisht Rusia furnizon rreth 40 për qind të tregut europian të gazit, deri në Norvegji, që nuk është pjesë e BE-së por anëtare e tregut të përbashkët europian.

Për vite me radhë, blloku 28-anëtarësh ka qenë i shqetësuar për vartësinë që kontinenti i vjetër mund të krijojë nga gazi rus. Polonia ka paralajmëruar se Rusia mund ta përdorë gazsjellësin e ri për të dëmtuar sigurinë energjitike të Europës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Gjermaninë se është peng i Rusisë për shkak të projektit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *