Vendosni fjalën kyçe....

Droni në futboll, në Bundesligë përdoret për të spiunuar rivalët


Një dron për të spiunuar stërvitjet e rivalëve? Nuk do të ishte as hera e parë. Por rasti i Werder Bremen është i veçantë, sepse dërguesi ka një emër dhe një mbiemër: drejtori sportiv Frank Baumann.

Skuadra e Bremen ka pranuar se ka përdorur një dron për të spiunuar Hoffenheim, me qëllimin për të zbuluar sekretet e tyre para ndeshjes së luajtur më 19 dhjetor, e mbyllur 1-1.

“Kemi kërkuar të marrin informacion nëpërmjet një vëzhguesi”, ka thënë Baumann në konferencë për shtyp. “Dhe për një periudhë të shkurtër është përdorur edhe një dron. Por nuk ka patur kurrë asnjë rrezik, nuk ka fluturuar asnjëherë mbi fushë. E kemi diskutuar mes nesh, e marr unë përgjegjësinë”.

Këto deklarata kanë ardhur për shkak se Hoffenheim ka denoncuar në polici praninë pa autorizim të një droni që, sipas tyre, ka filmuar stërvitjen e skuadrës nga lart.

“Nuk ishte asgjë e paligjshme dhe kemi rregulluar gjithçka me Hoffenheim”, ka pohuar Baumann. “Por duam të kërkojmë falje nëse ky incident ka krijuar shqetësime për dikë”.