Vendosni fjalën kyçe....

E kaluan natën mes të ftohtit, studentët në ditën e 9-të të qëndresës


Pasi një pjesë e mirë e tyre e kaluan natën jashtë përballë Kryeministrisë, madje njëri prej tyre u sëmur, studentët sot do të protestojnë përsëri.

Në ditën e nëntë të protestës, studentët kanë njoftuar se edhe pse Ministria e Arsimit dhe Kryeministri Edi Rama nuk e respektuan ultimatumin e vënë deri në orën 16:00 të ditës së djeshme për të plotësuar 8 kërkesat, ata nuk do të ndalen.

 “Sot studentët e të gjitha universiteteve publike do të bojkotojnë mësimin. Do të mblidhemi në oborret e fakulteteve në orën 8 dhe prej aty do të vërshojmë drejt realizimit të kërkesave tona të panegociueshme!”, thuhet në një njoftim të studentëve.

Çfarë ndodhi dje?

Studentët bllokuan dje pikat kyçe të Tiranës, që nga kryqëzimi i Piramidës me Bulevardin kryesor nga studentët e Politeknikut, rruga e Dibrës nga studentët e Mjekësisë, stacioni i Trenit nga studentët e Shkencave Natyrore, sheshi Ëilson nga studentët e fakultetit të Drejtësisë, Zogu i Zi nga studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës, studentët e shkencave sociale kanë bllokuar kryqëzimin e 21-shit, studentët e ekonomikut, filologjikut dhe gjuhëve të huaja kanë bllokuar rrugën e Elbasanit  ndërsa ata të Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë bllokuar doganën.

Pas bllokimit të rrugëve ka nisur marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, por gjatë këtij marshimi, studentët e mbledhur te Sheshi “Nënë Tereza” kanë qenë spektatorë të një shfaqjeje me violin të studentëve të Arteve të cilët kanë performuar tingujt melodiozë të himnit kombëtar, ndërsa të gjithë kanë kënduar sëbashku. 

Sakaq, në të njëjtën kohë, studentët e Gjeologji-Minierave kanë vënë kaska të verdha minatorësh mbi kokë.

Protesta zhvilluan edhe studentë nga Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi dhe Gjirokastra, një pjesë e të cilëve u nisën drejt Tiranës, ndërsa një pjesë protestuan nga universitetet përkatëse.

Protestës  iu bashkuan edhe maturantë nga disa gjimnaze në kryeqytet, që nga Petro Nini-Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Harry-Fultz”, “Qemal Stafa” dhe “Partizani”.

Mirëpo shumë prej maturantëve janë ndeshur me presione dhe nuk janë lejuar të protestojnë në ambientet e shkollave të tyre, ndërsa janë kërcënuar me mungesa nga ana e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave.

Kur afati që studentët i vendosën kryeministrit Rama që të plotësonte kërkesat e tyre kishte përfunduar, studentët u shpërndanë në tri grupe.

Një pjesë qëndroi përballë Ministrisë së Arsimit, një pjesë tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi dhe një pjesë tjetër tek Kryeministria.

Qëndresa e studentëve ka vazhduar gjatë gjithë natës. Një grup studentësh, duke sfiduar të ftohtin e natës në dimër, kanë qëndruar jashtë përballë Kryeministrisë.

Njëri prej studentëve ka shfaqur probleme shëndetësore, sipas fotove që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Studenti shfaqet i shtrirë dhe i mbuluar me batanije. Ende nuk dihet se si paraqitet gjendja e tij mëngjesin e sotëm.

Me protestën e tyre janë sensibilizuar edhe qytetarë të shumtë të cilët i kanë dërguar mbrëmë batanije, ushqime dhe ujë.

Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kaluar ishte i ftuar në emisionin e Alban Dudushit në Top Channel, ku pati një diskutim me studentët. Mirëpo më vonë rezultoi se studentat e paraqitur nëpër emisionet televizive mbrëmjen e shkuar, nuk ishin ata që duhet të përfaqësonin masën, kjo pasi ata mbajnë pozicione partiake po janë pjesë e forumit të të rinjve në partinë Socialistë.

njëri nga personat e ftuar në “Top Show” rezulton punonjës në Ministrinë e Infranstrukturës ndërsa vajza tjetër është pjesëtare e forumit të të rinjve socialistë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *