Vendosni fjalën kyçe....

Prishja e banesave te Bregu i Lumit: Po na hedhin në rrugë, s’dalim pa dëmshpërblim


Pas Unazës së Re, ku qeveria dhe bashkia parashikojnë të prishin më shumë se 300 banesa dhe biznese për zgjerimin e segmentit rrugor nga “Shqiponja” te “Pallati me Shigjeta”, para dy ditësh edhe banorët e Bregut të Lumit janë përballur me të njëjtën situatë.

Ata janë lajmëruar nga një inspektor i INUV-it që të lirojnë banesat e tyre brenda një afati 10-ditor pa asnjë të dhënë lidhur me trajtimin financiar të tyre. Bëhet fjalë për 44 banesa ku jetojnë më shumë se aq familje.

Banorët e Bregut të Lumit, preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

ALUIZNI, Bashkia dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për prishjen e banesave në kuadër të zgjatimit të Bulevardit, kanë deklaruar se nuk do dëmshpërblejnë asnjë familje nga prishja e banesës ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, duke paguar taksa dhe duke qenë në rregull me të gjitha detyrimet e pretenduar nga shteti ndaj tyre.

Banorët tregojnë dokumentet që kanë, duke thënë se janë të ligjshëm dhe që të gjithë janë në proces legalizimi.

Ata i kanë paguar të gjitha detyrimet e kërkuara nga shteti që shkojnë në disa milionë lekë dhe kanë qenë në pritje të marrjes së hipotekës, të cilën nuk e kanë marrë për shkaqe vonesash burokratike në zyrat e shtetit.

Një tjetër problem që vërehet në rastin e banorëve të Bregut të Lumit, është se qeveria i ka dëmshpërblyer plotësisht banesat e prishura në 3 segmentet e para të Bulevardit të Ri, që nis te ish-stacioni i trenit dhe përfundon në Bregun e Lumit.

Ndërkohë që banorët që kanë jetuar vetëm pak metra larg banesave të segmentit të katërt janë dëmshpërblyer plotësisht për banesat e tyre, banesat e 44 familjeve të fundit nuk do dëmshpërblehen sipas njoftimit që u ka ardhur atyre.

Qindra banorët e 44 familjeve që preken nga prishja, do i bashkohen protestës së Unazës së Re duke nisur nga dita e sotme, ndërsa kanë paralajmëruar se do e përshkallëzojnë protestën dhe se nuk kanë ndërmend që të tërhiqen derin në plotësimin e kërkesave të tyre pasi jo vetëm bëhet fjalë për çështje ekzistenciale, por sepse i gjithë procesi është i paligjshëm. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *