Vendosni fjalën kyçe....

Arratisja e Nikola Gruevskit, Mali i Zi: Ka kaluar përmes kufijve tanë


Mali i Zi ka reaguar pas lajmeve për arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Përmes një njoftimi për mediat, policia malazeze konfirmon se ish-kryeministri ka hyrë në territorin e Malit të Zi më 11 nëntor dhe po atë ditë ka lënë vendin.

“Për shkak të interesimit të mediave për ish-Kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe në interes të informimit të vërtetë, ne njoftojmë  se Nikolla Gruevski hyri në Malin e Zi në datën e përmendur më 11 nëntor dhe u largua nga vendi në të njëjtën ditë. Policia malazeze për këtë rast i respekton plotësisht procedurat ligjore”, thuhet në deklaratën e policisë malazeze.

Mirëpo në këtë njoftim, nuk jepen se si Gruevski hyri në vend dhe prej cilit vendkalim kufitar u largua.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, që ka qeverisur vendin e tij nga 2006 në 2016 dhe është dënuar me dy vjet për korrupsion, ka fluturuar për në Hungari megjithëse i është konfiskuar pasaporta dhe ka kërkuar aty azil politik.

Mbetet e paqartë se si ka arritur ai të largohet. Që Gruevski ndodhet në Hungari, e ka treguar vetë ditën e martë me një postim në facebook. Ai shkruante: “Do i mbetem besnik Maqedonisë. Nuk dorëzohem kurrë.”