Vendosni fjalën kyçe....

Shtetet arabe bëjnë thirrje për tërheqjen e forcave të huaja nga Siria


Qeveria në Damask duhet të rivendosë sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Sirisë, duke i dhënë fund pranisë së grupeve të armatosura të huaja dhe terroristëve, thanë ministrat e Jashtëm të Sirisë, Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit dhe Irakut të hënën pas takimit në Aman.

Jordania priti takimin, i pari i këtij lloji që nga pezullimi i anëtarësimit të Sirisë në Ligën Arabe në 2011. Përpara takimit shumëpalësh, Ministri i Jashtëm sirian Faisal Mekdad u takua me homologun e tij jordanez Ayman Safadi për të diskutuar mbi refugjatët, sigurinë kufitare dhe ‘çështjet e ujit’, sipas Amanit.

Në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë nga agjencitë shtetërore të lajmeve, pesë ministrat bënë thirrje për ‘përfundimin e pranisë së organizatave terroriste’ si dhe ‘grupeve të armatosura’ në territorin e Sirisë dhe ‘neutralizimin e aftësisë së tyre për të kërcënuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare’. Ata gjithashtu u zotuan të ‘mbështesin Sirinë dhe institucionet e saj për të vendosur kontrollin mbi të gjithë territorin e saj dhe për të vendosur sundimin e ligjit’.

Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Iraku u zotuan të krijojnë lidhje me ushtrinë siriane dhe institucionet e sigurisë për të ‘adresuar sfidat e sigurisë’. Pesë ministrat kërkuan gjithashtu ndalimin e ‘ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme të Sirisë’.

Deklarata e tyre e përbashkët bëri thirrje gjithashtu për ngritjen e ekipeve teknike të ekspertëve që do ndjekin samitin dhe do zbatojnë masa praktike për zgjidhjen e konfliktit në Siri.

Takimi i Amanit vjen vetëm disa javë pasi Mekdad vizitoi Arabinë Saudite dhe mori miratimin e mbretërisë për integritetin territorial të Sirisë. Aktualisht, militantët e mbështetur nga Turqia kontrollojnë pjesë të Sirisë veriore, ndërsa verilindja është nën kontrollin e milicëve kurdë të mbështetur nga SHBA-ja.

Grupe të ndryshme militantësh të mbështetur nga fuqi të ndryshme globale e rajonale filluan një kryengritje kundër presidentit sirian Bashar Assad në vitin 2011. Ndërsa qeveria siriane arriti  të rezistojë duke mos e dorëzuar pushtetin. Disa nga fqinjët e Sirisë dhe fuqitë rajonale kanë lëvizur për të përmirësuar marrëdhëniet me Damaskun në muajt e fundit.