Vendosni fjalën kyçe....

Uragani “Michael” shkatërron gjithçka në Florida (Foto)


Banorët e Floridës në zonat e goditura nga Uragani Michael kanë filluar të pastrojnë dëmet që la pas stuhia katastrofike, e cila solli shira të rrëmbyer, shoqëruar me erëra me shpejtësi 250 km/orë.

Uragani la pasoja edhe në shtetet Alabama, Xhorxhia, dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut. Dje Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që shpall statusin e katastrofës natyrore në zonat e goditura nga uragani në Florida.

“Me lutjet tona jemi pranë atyre që kanë humbur të afërm. Me zemër jemi pranë atyre mijërave që kanë humbur shtëpitë, atyre familjeve të shumta që janë zhvendosur. Po ashtu edhe pranë bizneseve që janë goditur nga ku uragan shkatërrimtar,” tha presidenti.

Banorët e qytetit Panama City në Florida e kaluan stuhinë në vendstrehime dhe tani janë kthyer në lagjet e tyre ku përballen me kilometra të tëra shkatërrimi të plotë – shtëpi të rrafshuara, pemë të rrëzuara, shtylla elektriku të dëmtuara – dhe momente personale nga jetë të ndërtuara në këtë qytet të shndërruara në mbetje pa vlerë nga stuhia shkatërrimtare.