Vendosni fjalën kyçe....

Blushi në Parlamentin Europian: Nuk mund të ketë integrim në BE pa shtet të së drejtës



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar takime në Parlamentin Europian me kryetarin e delegacionit, Marco Tarquinio, si dhe me raporterin për shtetin e së drejtës, Konstantinos Arvanitis, ku ka paraqitur kritikat e tij për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri.

Sipas Blushit, vendi po përballet me pasojat e keqqeverisjes, korrupsionit dhe shpopullimit, duke pretenduar se këto fenomene kanë dëmtuar funksionimin e shtetit dhe procesin e integrimit europian.

Ai deklaroi se protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri janë, sipas tij, pasojë e pakënaqësisë ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Blushi ngriti gjithashtu shqetësime për funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se reforma në drejtësi nuk ka arritur të luftojë korrupsionin dhe se pandëshkueshmëria është rritur. Ai iu referua edhe raporteve të Transparency International, duke thënë se Shqipëria ka pësuar rënie në renditje.

Në deklaratat e tij, ai kritikoi edhe gjendjen e lirisë së medias dhe përdorimin e fondeve publike, përfshirë programin IPARD, duke pretenduar se këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e vendit.

Blushi foli edhe për çështjen e ish-Presidentit Ilir Meta, duke pretenduar se paraburgimi i tij nuk mbështetet në prova.

“Nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Europian pa një shtet të së drejtës dhe pa respektimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, u shpreh Blushi gjatë takimeve në Parlamentin Europian.