
Deputeti i PS, Erion Braçe tha sot se ka ardhur koha që të shfuqizohet ligji për investitorët strategjikë.
Ai ceku është ligjin për Zonat e Mbrojtura duke pohuar se PS është e hapur të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura për të dhënë më shumë garanci për mbrotjen e natyrës.
Sipas Braçes, tashmë Shqipëria është bërë atraktive për shkak të biznesit që bëhet në të dhe nuk ka nevojë për favore. I hapur shprehet edhe për një prej kërkesave të protestuesve për rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke thënë se nëse do jetë e nevojshme të ndryshohet për të garantuar me shumë garanci për të mos cenuar natyrën.
“Nëse ligji duhet të ketë shumë më tepër garanci, patjetër ta shohim. Edhe unë e kam patur këtë shqetësim kur u diskutua ligji. Ajo seanca kur ka kaluar ligji nuk është bërë as diskutim se opozita kishte zënë sheshin e Kuvendit. Nëse duhet të rishihet ligji për të dhënë garanci maksimale për të mos cenuar natyrën në këto hapësira patjetër ta shikojmë.
Ligji për investitorët strategjikë i ka ardhur koha të abrogohet. Kush ka pasur një favor e ka kaluar kohën, s’ka nevojë për favore, Shqipëria është bërë atraktive jo për favoret, por për shkak të biznesit që mund të bëhet për të. Paketa e Maleve? Bëhet fjalë për banorët e atyre zonave, por nëse duan të ndërtojnë në atë tipologji që ka pasur veriu jetë e mot, patjetër që ata duhet të përfitojnë. Gjithë ajo zonë nuk ka titujt pronësie, nuk është çmendur Erioni të shkojë në tokën e tjetrit. Sa kohë që ata e kanë vendosur këtë lloj legjitimiteti, duhet t’iu jepet certifikata. Ai ligj iu jep certifikatën atyre. Po pse unë nuk duhet ta zhvilloj pronën time. Kush janë këta që u thonë njerëzve atje ti s’ke për ta zhvilluar se unë dua malin. Është prona ime, po ndërtoj në truallin tim. Si qenka kjo histori, ti s’do ndërtosh, s’do e bësh kullën, sepse nuk dua unë. Po kush je ti. Këta që shkruanin për paketën e maleve nuk ishin fare nga ai territor, ishin nga jugu”, tha Braçe në Report Tv.