Vendosni fjalën kyçe....

“Pas fitores së Trump, kryeministri i Shqipërisë i dha Jared Kushnerit statusin e investitorit strategjik” – Senatori amerikan (Video)


Senatori amerikan Jon Ossoff ka cekur çështjen e projektit për Sazani të Jared Kushner e Ivanka Trump, gjatë një takimi për prezantimin e një kandidateje për guvernatore në SHBA.

Në një pjesë të fjalës së tij, Senatori demokrat tha se Jared Kushner e Ivanka Trump e dëshironin ishullin e Sazanit për ta zhvilluar si pronë dhe për investuar aty një resort luksoz.

Ossoff tha se në Shqipëri ka protesta masive dhe se ishulli i Sazanit është thesar kombëtar i vendit dhe një nga bregdetet e ende të paprekura në Mesdhe.

“Megjithëse pa asnjë kualifikim, “Princi Jared” u caktua të drejtonte diplomacinë në Lindjen e Mesme. Tani, mbani mend fondin e Jared-it, Affinity Partners, që mori 2 miliardë dollarë nga princi i kurorës saudite. A e dinit këtë? Dhe madje edhe tani, ndërsa negocion për Shtetet e Bashkuara lidhur me Iranin dhe Gazën, ai po u kërkon princave arabë miliarda të tjerë. Jo për Shtetet e Bashkuara, por për biznesin e tij.

Mirëpo, ja një kthesë në histori. Është një ishull i vogël i mrekullueshëm pranë bregdetit shqiptar, i quajtur Sazan, dhe Jared Kushner e dëshiron atë. Kështu që ai mori miliardat e tij saudite dhe vendosi që, së bashku me Ivanka Trump, ta blinin ishullin dhe të ndërtonin një resort luksoz.

Më pas, sikur gjithçka të ishte e planifikuar, vetëm pak javë pasi Donald Trump fiton një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Shqipërisë i jep kompanisë së Jared-it statusin e investitorit strategjik. Kjo do të thotë se procedurat për lejet dhe miratimet përshpejtohen për ta ndihmuar “princin amerikan” të zhvillojë ishullin e tij të ri.

Ky ishull është një thesar kombëtar i Shqipërisë, një nga pjesët e fundit të bregdetit të paprekur në Mesdhe. Ujërat e tij ishin pjesë e një parku detar kombëtar, të mbrojtur nga zhvillimi, derisa Shqipëria ndryshoi ligjin për t’i lejuar Jared Kushner-it të ndërtonte resortin e tij.

Dhe rezulton, Savannah, se shqiptarët e zakonshëm nuk janë aspak të kënaqur me këtë marrëveshje. Aktualisht po zhvillohen protesta masive kombëtare kundër korrupsionit, me dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e kryeqytetit, Tiranës. Ata po e quajnë këtë “Revolucioni i Flamingos”. E gjithë kjo është nxitur nga kundërshtimi ndaj marrëveshjes së Jared Kushner-it për tokën.” – tha Ossoff.