Një fosil që kishte qëndruar për rreth katër dekada i harruar në një sirtar të British Antarctic Survey (BAS) është identifikuar si kocka e parë e një dinosauri e zbuluar ndonjëherë në Antarktidë.
Mostra u gjet në vitin 1985 në Ishullin James Ross, por në atë kohë shkencëtarët nuk arritën të përcaktonin origjinën e saj dhe e ruajtën në koleksionin gjeologjik të institucionit në Kembrixh.
Zbulimi u bë së fundmi nga menaxheri i koleksioneve, Dr. Mark Evans, i cili, gjatë shqyrtimit të mijëra mostrave të sjella nga ekspeditat në Antarktidë, vuri re se fosili kishte karakteristika tipike të dinosaurëve, përcjell BBC.
Më pas, paleontologu Prof. Paul Barrett nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër konfirmoi se bëhej fjalë për një rruazë bishti të një Titanosauri, grupi që përfshin disa nga dinosaurët më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë në Tokë.
Në ditarin e ekspeditës së vitit 1985, gjeologu Mike Thomson e kishte përshkruar fosilin vetëm si një “rruazë e një zvarraniku të madh”, duke menduar se mund t’i përkiste një zvarraniku detar.

Shkencëtarët vlerësojnë se dinosauri kishte jetuar rreth 82 milionë vjet më parë, gjatë periudhës së Kretakut të Vonë, kur Antarktida nuk ishte e mbuluar nga akulli, por nga pyje të dendura dhe klimë shumë më e ngrohtë.
Bazuar në madhësinë e fosilit, studiuesit besojnë se Titanosauri ishte rreth 7 metra i gjatë, shumë më i vogël se disa nga të afërmit e tij, të cilët arrinin mbi 35 metra gjatësi dhe peshonin deri në 60 tonë.
Sipas studiuesve, zbulimi ka rëndësi të veçantë, pasi fosilet e dinosaurëve në Antarktidë janë jashtëzakonisht të rralla dhe ndihmojnë në rindërtimin e ekosistemeve që ekzistonin në kontinentin jugor miliona vite më parë.
Studimi është publikuar në revistën shkencore Acta Palaeontologica Polonica.

