Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me thikë në një stacion treni në Zvicër, plagosen tre persona


Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin hekurudhor të Winterthur, në veriperëndim të Zvicrës, ndërsa policia ka arrestuar autorin e dyshuar.

Sipas autoriteteve zvicerane, të plagosurit janë shtetas zviceranë të moshave 28, 43 dhe 52 vjeç, të cilët u transportuan në spital pas sulmit, përcjell BBC.

Policia bëri të ditur se i dyshuari është një 31-vjeçar zviceran, i cili përdori një armë të ftohtë, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Një dëshmitar okular, që punonte në një ndërtesë pranë stacionit, tha për mediat lokale se dëgjoi autorin të bërtiste “Allahu Akbar” rreth orës 08:30 me orën lokale, përpara se të sulmonte njerëzit me thikë.

Sipas raportimeve lokale, në momentin e sulmit pranë zonës po kalonte një grup nxënësish dhe një mësues është parë duke u vendosur përpara tyre për t’i mbrojtur.

Një tjetër dëshmitar, shofer taksie, deklaroi për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung se autori po lëvizte në nënkalimin e stacionit duke sulmuar kalimtarët.

Fotot e publikuara nga mediat zvicerane tregojnë zona të shumta të stacionit të rrethuara nga policia, ndërsa hetimet për incidentin vijojnë.