Vendosni fjalën kyçe....

Masa e sigurisë ndaj Ilir Metës/ Deputetët e Partisë së Lirisë letër zyrtare Gjykatës Kushtetuese: Mos vononi zbardhjen e vendimit


Deputetët e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë i janë drejtuar këtë të enjte me një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese, duke insistuar në respektimin e afateve ligjore për zbardhjen dhe arsyetimin e vendimit të marrë më 8 prill 2026, i cili la në qeli ish-presidentin Ilir Meta.

Letra mban firmat e deputetëve të PL-së, Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu. Përfaqësuesit e opozitës argumentojnë se kjo çështje mbart një interes jashtëzakonisht të lartë publik dhe kushtetues, ndaj zvarritja e publikimit të vendimit të plotë është e papranueshme.

Sipas tyre, kapërcimi i afateve të parashikuara në ligj dëmton rëndë parimet bazë të shtetit të së drejtës.

“Çdo vonesë e pajustifikuar në zbardhjen e vendimit, në kundërshtim me afatet e përcaktuara nga ligji, do të përbënte cenim të standardeve të një procesi të rregullt ligjor, të parimit të sigurisë juridike, si dhe të vetë besueshmërisë së drejtësisë kushtetuese. Duke vlerësuar rolin dhe përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e Kushtetutës dhe e të drejtave themelore, shprehim pritshmërinë që zbardhja e vendimit të kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara”, – thuhet në kërkesën e depozituar nga Partia e Lirisë.

Më 8 prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash ankimimin e depozituar nga Ilir Meta, i cili kërkonte shpalljen antikushtetuese të masës “arrest me burg” të dhënë ndaj tij, si dhe kundërshtonte mënyrën se si u ekzekutua ky arrestim.

Në vendimin e saj paraprak, Kushtetuesja argumentoi se masa e caktuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) ishte vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk ishte joproporcionale.

Gjithashtu, muajin e shkuar, ky institucion rrëzoi edhe pretendimet e tjera të Metës për veprime arbitrare dhe dhunë të mundshme gjatë prangosjes në rrugë, duke sqaruar se ato pretendime po shqyrtohen në instancat e tjera gjyqësore dhe në Prokurorinë e Tiranës.

Kujtojmë se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndodhet në ambientet e paraburgimit që prej muajit tetor të vitit 2024, pas një urdhërarresti të lëshuar nga SPAK në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.