Vendosni fjalën kyçe....

PD kërkon transparencë për licensimin e “Jet Bank”, Këlliçi: Dyshime për sigurinë kibernetike dhe pastrimin e parave


Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financës dhe atë të Nismave Qytetare dhe Mbikëqyrjes Institucionale kanë depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar Guvernatorit të Banka e Shqipërisë, ku kërkojnë sqarime të detajuara lidhur me licensimin e bankës digjitale “Jet Bank”.

Lajmi është bërë publik nga deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i cili tha se kërkesa vjen për shkak të mungesës së transparencës dhe raportimeve mediatike që, sipas tij, ngrenë shqetësime serioze mbi procesin e licensimit.

“Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financës dhe atij të Nismave Qytetare dhe Mbikqyrjes Institucionale, të shqetësuar për mungesën e transparencës si dhe fakte të tjera dëmtuese, që janë të raportuara mediatikisht, në lidhje me licencimin e të parës bankë digjitale në vend ‘Jet Bank’, kanë firmosur një kërkesë të përbashkët për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”, shkruan Këlliçi.

Sipas tij, licensimi i një banke plotësisht digjitale konsiderohet një praktikë e re dhe problematike edhe në vendet e Bashkimi Europian, ndërsa në Shqipëri rreziqet janë edhe më të larta për shkak të dobësive në sigurinë kibernetike dhe problematikave me pastrimin e parave.

“Siguria kibernetike, reputacioni i aksionarëve dhe menaxherëve, problematika e pastrimit të parave si dhe siguria e kreditorëve, janë çështje shumë shqetësuese dhe aktuale edhe në BE”, theksoi deputeti demokrat.

Ai shtoi se opozita dyshon se të paktën një prej personave të përfshirë në këtë proces ka reputacion të kompromentuar.

“Në Shqipëri, këto probleme janë shumë herë më të nxehta dhe shumë herë më problematike. Sepse në Shqipëri, siguria kibernetike thuajse nuk ekziston, pastrimi i parave ndodh sheshit dhe faktet tregojnë që të paktën njëri prej individëve të përfshirë në këtë aferë, ka reputacion të dëmtuar rëndë dhe thellësisht kompromentues”, deklaroi Këlliçi.

Në fund, ai paralajmëroi se kërkesa për transparencë është vetëm hapi i parë dhe se opozita do të ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore.

“Hapa të tjerë ligjorë do të pasojnë, sepse zbatimi i ligjit dhe siguria financiare e shqiptarëve, është prioritet absolut për ne”, u shpreh ai.