Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli godet me mbi 120 sulme ajrore Libanin, përshkallëzohet ofensiva ndaj Hezbollahut


Izraeli ka ndërmarrë më shumë se 120 sulme ajrore ndaj Libanit gjatë së martës, në një nga ditët më intensive të bombardimeve të javëve të fundit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ushtria po përshkallëzon ofensivën kundër Hezbollah.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA muajin e kaluar mes Izraelit dhe Hezbollahut duket tashmë pranë kolapsit total, duke komplikuar edhe negociatat për t’i dhënë fund luftës me Iranin.

Teherani ka sinjalizuar vazhdimisht se ndalimi i ofensivës izraelite në Liban është kusht për çdo marrëveshje me Uashingtonin.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur rreth 100 objektiva të lidhura me Hezbollahun në jug të Libanit dhe në luginën lindore të Bekasë, përfshirë depo armësh, qendra komanduese dhe pika vëzhgimi, të cilat sipas zyrtarëve izraelitë përdoren për sulme ndaj trupave dhe banorëve në veri të Izraelit, sipas The Guardian.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve në Liban raportoi se të paktën 10 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, humbën jetën në një sulm ndaj qytetit Burj al-Shamali në jug të vendit, ndërsa një tjetër goditje në fshatin Mashghara vrau 12 persona, përfshirë disa anëtarë të së njëjtës familje.

Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite po operon me forca të mëdha në terren dhe po merr nën kontroll zona të caktuara.

“Po forcojmë brezin e sigurisë për të mbrojtur komunitetet veriore”, tha ai, duke iu referuar zonës së vetëshpallur të sigurisë të kontrolluar nga trupat izraelite disa kilometra brenda territorit të Libanit.

Sipas raportimit, Netanyahu po përballet me presion të madh politik për të treguar rezultate kundër Hezbollahut, ndërsa shumë prej objektivave të luftës së nisur nga Izraeli kundër Iranit në muajin shkurt nuk janë arritur ende.

Në Izrael, politikanë dhe komentues kanë kërkuar ditët e fundit që qeveria të mos marrë parasysh presionin amerikan për kufizimin e operacioneve ushtarake në Liban.

Ndërkohë, në Bejrut ka frikë për një zgjerim të ofensivës. Një banor i kryeqytetit libanez, Tony Aboud, tha për median britanike:

“Vetëm duke thënë disa fjalë në televizion, Netanyahu i fut të gjithë në panik dhe i detyron të largohen nga shtëpitë. Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe sa gjatë mund të jetojmë kështu.”

Sipas raportimeve, në jug të Libanit janë regjistruar edhe përleshje të reja mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hezbollahut. Grupi shiit pretendon se ka përdorur dronë të rinj me fibër optike, të cilët ushtria izraelite ka pasur vështirësi t’i neutralizojë.

Mbi 1 milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban që nga nisja e përshkallëzimit të fundit të konfliktit, ndërsa Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi se të paktën 3,213 persona janë vrarë dhe mbi 9,700 janë plagosur nga sulmet izraelite.