Një projekt i një marrëveshjeje të mundshme mes Iranit dhe SHBA-së përfshin bashkëpunimin midis Teheranit dhe Omanit për menaxhimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi shtetëror iranian IRIB, i cili tha se e kishte siguruar dokumentin, Irani sipas projektit do të angazhohet që brenda një muaji ta kthejë numrin e anijeve tregtare që kalojnë përmes ngushticës në nivelet para tensioneve, por anijet ushtarake nuk përfshihen në marrëveshje.
Sipas marrëveshjes, SHBA-ja do ta heq bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
SHBA-ja gjithashtu është “zotuar të tërheq forcat e tij ushtarake nga periferia e Iranit”, thuhet më tej, duke shtuar se “nëse kjo klauzolë përfshin forcat e dislokuara në rajon apo ato të vendosura në baza ushtarake, kjo mbetet për t’u negociuar”.
“Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda një periudhe 60-ditore, kjo marrëveshje do të miratohet në formën e një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në raport.
Raporti thotë se marrëveshja ende nuk është finalizuar dhe “Irani nuk do të ndërmarrë asnjë hap pa verifikim të prekshëm”.
Tensionet rajonale shpërthyen më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të befasishme ndaj Iranit, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me valë dronësh dhe raketash që goditën objektiva në gjithë rajonin ndërsa Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin marrëveshje të qëndrueshme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, më pas e zgjati armëpushimin pa afat, ndërsa vazhdoi bllokadën ndaj anijeve që udhëtonin drejt ose nga portet iraniane përmes kësaj rruge strategjike detare, duke deklaruar herë pas here se një marrëveshje paqeje ishte afër.
