Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë i jep të drejtë Pacollit për Aeroportin e Vlorës, rrëzon kërkesën e Valon Ademit


Gjykata e Lartë ka rrëzuar padinë e shoqërisë “2A Group” të administruar nga Valon Ademi për Aeroportin e Vlorës duke i dhënë të drejtë kompanisë “Mabco” të Behgjet Pacollit.  

Ademi kishte kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.

Të dyja palët janë në një përplasje prej disa ditësh në kantierin e aeroportit pasi kompania “2A Group” nuk lejon punonjësit e “Mabco”-s të hyjnë. Vendimi mund të ndikojë në acarimin e marrëdhënieve mes palëve.

Më herët Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit, i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër, “Mabco” derisa vendimi të merrte formë të prerë.

Përplasja mes dy ortakëve nisi në dhjetor të vitit të shkuar për çështjen e aksioneve dhe menaxhimin e aeroportit në qytetin bregdetar. Biznesmeni Ademi ka bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me këtë çështje.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.