Përplasja për administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është thelluar edhe më tej, teksa përfaqësuesi i “2A Group”, Valon Ademi, ka reaguar me akuza të forta ndaj biznesmenit Behgjet Pacolli.
Në një reagim publik, Ademi pretendon se gjithçka nisi pasi ai refuzoi një ofertë prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025 për shitjen e aeroportit.
“Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. ‘Gabimi’ im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje”, shprehet Ademi.
Ai akuzon Pacollin se ka vepruar si “emisar” për interesa të tjera dhe pretendon se pas konfliktit qëndrojnë tentativa për marrjen nën kontroll të aeroportit.
“Ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës”, shprehet ai..
Ademi përmend edhe emrin e Bart Turtelboom, për të cilin pretendon se është “ekzekutori i skemës financiare dhe juridike” për kalimin e aeroportit në duar të tjera.
Në reagimin e tij, kreu i “2A Group” deklaron se nuk do të tërhiqet nga beteja për aeroportin e Vlorës.
“Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë”, shprehet ai.
Ndërkohë, përplasja mes “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit ka sjellë reagimin zyrtar të qeverisë shqiptare.
Sot përgjatë ditës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se shteti do të zbatojë me rigorozitet kontratën koncesionare dhe paralajmëroi penalitete për të dyja kompanitë, pasi konflikti po vonon operacionalizimin e aeroportit dhe po dëmton reputacionin e projektit.
“Nuk ka ndodhur as përfundimi total i infrastrukturës civile dhe nuk ka ndodhur as operacionaliteti. Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur në momentin që jemi duke folur dhe unë prandaj referova që patjetër penaliteti do t’i vendoset subjekteve tregtare”, deklaroi ministri.
Karakaçi theksoi se aeroporti nuk konsiderohet funksional vetëm me përfundimin e punimeve fizike, por edhe me marrjen e certifikimeve ndërkombëtare të sigurisë ajrore.
Sipas tij, përplasja tashmë ka kaluar nga një konflikt civil në procese penale dhe po ndikon drejtpërdrejt në vonimin e hapjes së aeroportit.
“Mosmarrëveshja po bëhet shkak për vonesat e mëtejshme të operacionalitetit të Aeroportit të Vlorës, por jo vetëm, po bëhet shkak edhe për prishjen e reputacionit të këtij projekti”, u shpreh ministri.
Qeveria garantoi se shteti nuk do të mbetet peng i konfliktit mes dy kompanive dhe se do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të garantuar përfundimin e projektit dhe nisjen e fluturimeve në aeroportin e Vlorës.
