
Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, ka mbërritur në Teheran për një raund të ri bisedimesh diplomatike që synojnë t’i japin fund luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, vetëm pak orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se në negociata është shënuar “pak progres”, përcjell Euronews.
Munir u prit nga ministri i Brendshëm i Iranit, Eskandar Momeni, si dhe homologu i tij pakistanez Mohsin Naqvi, i cili ka zhvilluar vizita të njëpasnjëshme në Teheran gjatë javës së fundit.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi se vizita nuk do të thotë se palët kanë arritur një pikë kthese, duke theksuar se ende ekzistojnë “mosmarrëveshje të thella dhe të gjera”.
Gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi, Rubio u shpreh se nuk dëshiron ta ekzagjerojë progresin e deritanishëm, por pranoi se “ka pasur pak lëvizje dhe kjo është pozitive”.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ka pezulluar një sulm ushtarak ndaj Iranit për shkak të “negociatave serioze” që po zhvillohen.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani po vazhdon procesin diplomatik pavarësisht, sipas tij, “tradhtive të përsëritura ndaj diplomacisë” nga SHBA-ja dhe “agresionit ushtarak kundër Iranit”.
Një nga çështjet kryesore të diskutimeve mbetet ngushtica strategjike e Hormuzit, e cila vazhdon të jetë e bllokuar nga Irani. Situata ka ngritur shqetësime globale për furnizimin me naftë, gaz dhe produkte të tjera energjetike.
Sipas autoriteteve amerikane, SHBA-ja ka ridrejtuar dhjetëra anije tregtare dhe ka ndërmarrë masa ndaj porteve iraniane që prej muajit prill. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka zgjeruar sanksionet ndaj personave të përfshirë në mbylljen e ngushticës së Hormuzit, duke e konsideruar bllokadën “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.