
Një gjykatë turke vendosi të enjten të shkarkojë në mënyrë efektive kreun e partisë kryesore opozitare në vend, duke anuluar Kongresin e vitit 2023 ku ai ishte zgjedhur.
Vendimi përbën një goditje të rëndë për Partinë Republikane Popullore (CHP), e cila po përballet me një valë procesesh gjyqësore kundër anëtarëve dhe zyrtarëve të saj të zgjedhur.
Gjykata e Apelit në Ankara shpalli të pavlefshëm kongresin e CHP-së ku Ozgur Ozel u zgjodh kryetar, duke urdhëruar që ai të zëvendësohet nga paraardhësi i tij, Kemal Kilicdaroglu.
Vitit të kaluar, një gjykatë më e ulët kishte rrëzuar pretendimet për parregullsi dhe shkelje gjatë zgjedhjes së Ozelit, por vendimi i së enjtes përmbysi atë verdikt fillestar.
Vendimi shkaktoi takime urgjente në selinë e CHP-së në Ankara dhe rrezikon më tej shanset e opozitës për të larguar nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan, pas më shumë se dy dekadash në krye të vendit.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë planifikuar për vitin 2028, por Erdogan ka të drejtë të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Kundërshtari i tij kryesor, kryebashkiaku i Stambollit nga CHP, Ekrem Imamoglu, ndodhet në burg që prej marsit të vitit të kaluar dhe aktualisht po gjykohet për akuza korrupsioni, shkruan Washington Post.