Vendosni fjalën kyçe....

Një anije mallrash mbytet pranë Greqisë, ishte nisur nga Shqipëria drejt Ukrainës me 8 mijë ton sodë



Një anije mallrash me flamur të Vanuatusë është mbytur në orët e para të mëngjesit pasi është përplasur me shkëmbinjtë në veri të ishullit Andros, në Greqi. Sipas të dhënave paraprake, anija ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Ukrainën dhe transportonte rreth 8 mijë ton sodë.

Pas goditjes në zonën shkëmbore, anija ka pësuar dëmtime të rënda dhe më pas është fundosur. Autoritetet portuale kanë ngritur menjëherë alarmin sapo është konstatuar incidenti.

Në bord ndodheshin nëntë anëtarë të ekuipazhit: tetë shtetas turq dhe një shtetas azerbajxhanas. Të gjithë janë shpëtuar me sukses në një operacion të koordinuar nga Roja Bregdetare greke.

Sipas autoriteteve, dy prej marinarëve janë nxjerrë nga deti nga një anije patrulluese, ndërsa shtatë të tjerët janë lokalizuar dhe shpëtuar në një zonë të vështirë shkëmbore në ishullin Andros. Më pas, ekuipazhi është transportuar në portin e ishullit, ku raportohet se ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan disa mjete detare dhe ajrore, përfshirë dy anije të Rojës Bregdetare, mjete mbështetëse, anijen e pasagjerëve “Samos”, tre anije kalimtare si dhe një helikopter i Forcave Ajrore greke. Kushtet e favorshme të motit kanë ndihmuar në realizimin e operacionit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit detar.